Dhuna ndaj Xhisielës, deputetja e LSI: Pushteti i lidhur me krimin

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha, ka komentuar rastin e Xhisiela Malokut, vajzës së dhunuar nga djali i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.

Sipas Gjoshës, ky rast ka nxjerrë në pah realitetin e hidhur të lidhjes së pushtetit me krimin.

“Rasti i Xhisielës tregoi qartë se çfarë do të thotë që një qytetar të ndodhet i vetëm përballë presionit të pushtetit diktatorial dhe pushtetit mediatik,” tha Gjosha në deklaratë për shtyp.

Deputetja e LSI e sheh absurd faktin që arrestimi i djalit të deputetit, quhet arritje, në një kohë kur ngjarja ka ndodhur dy muaj më parë.

“Rasti i Xhisiela Malokut është kthyer tashmë në çështje kombëtare që i përket gjithë shoqërisë sepse nuk ka të bëjë vetëm me dhunën e ushtruar ndaj një vajze të re, por në fakt ky rast ka nxjerrë në pah realitetin e hidhur të lidhjes së pushtetit me krimin. Rasti i Xhisielës tregoi qartë se çfarë do të thotë që një qytetar të ndodhet i vetëm përballë presionit të pushtetit diktatorial dhe pushtetit mediatik. Është e paprecedentë të quash arritje arrestimin e djalit të deputetit, dy muaj pasi ka ndodhur ngjarja, dy muaj pasi është kryer ekspertiza mjeko-ligjore që vërtetonte shenjat e dhunë në trupin e një vajze të re e cila edhe sot që flasim vazhdon të jetë e pambrojtur dhe e terrorizuar. Shqipëria sot ndodhet në udhëkryqin më të rrezikshëm të këtyre viteve të fundit, ku shteti ia ka dorëzuar qeverisjen bandave kriminale dhe ku institucionet kanë ndalur totalisht së funksionuari.

Drejtësia sot është nën robërinë e plotë të pushtetit duke rrezikuar jetët e qytetarëve shqiptarë. Sot të gjithë kemi nevojë për disa përgjigje urgjente nga Prokuroria dhe Ministria e Brendshme. Përse nuk u arrestua djali i deputetit që në korrik kur e dhunoi Xhisielën? Përse Policia e Shtetit fshehu provat dhe ngjarjet gjatë gjithë këtyre muajve? Kur do të thërriten për dëshmi deputetët e lidhur me ngjarjen si dhe kryeministri për deklarimin publik se do ta ndjekë këmba këmbës këtë “horr”, deklarata të bëra për Nën Komisarin, Nuhu. Përse Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk iu përgjigjën thirrjes për ndihmë të punonjësit të policisë së shtetit, Emiliano Nuhu. Të gjitha këto pyetje të mbetura pa përgjigje ngrenë dyshime të mëdha për përfshirjen e individëve të veshur më pushtet në ngjarjen e dhunës së ushtruar ndaj Xhisiela Malokut. Nuk mund të mendohet që një shoqëri të qëndrojë indiferente ndaj këtij fenomeni kriminal që nuk i përket vetëm Xhisielës por çdo nëne, çdo prindi,çdo familjari, çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë që çdo ditë e më shumë po i shuhet shpresa për të jetuar në këtë vend. Ndaj të gjithë së bashku sot duhet ti përgjigjemi thirrjes së shoqërisë civile për të protestuar pranë kryeministrisë në orën 17.30. Ti japim fund së bashku pushtetit kriminal sepse fëmijët tanë meritojnë një Shqipëri Europiane,” tha Gjosha.

Burimi: Balkanweb

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne