Besim Ndregjoni
Ka dy ditë që nuk dëgjoj lajme se është fikur sinjali i Njuz 24 – sot mbushen 37 vjet që diktatura komuniste, paraardhësja e Rilindjes, varte poetin e fjalës së lirë – sot pritsha që gazetarët e Njuzit të jepnin përvjetorin e varjes së Havelit shqiptar, Havzi Nela – jo, nuk jepet ky përvjetor, sepse media e lirë dhe e hapur për antikomunistët dhe të përndjekurit politikë s’ka sinjal, sepse e kanë ndaluar horrat e Rilindjes që imitojnë udhëheqësin shpirtëror të tyre, Enverin dhe Ramizin!
Në Shqipëri nuk po jetojmë thjesht një krizë diktatoriale, jo vetëm një krizë politike. Ne jemi të zhytur në një krizë psiko-sociale, e cila ka filluar të përthithë çdo sferë të jetës së qytetarëve, si një re e zezë që rëndon mbi mendjen dhe shpirtin e një kombi të tërë.
Si mund të heshtësh përballë represionit të pushtetit kur ndalon fjalën e lirë, kur të përndjekurit i quan armiq dhe nuk u lejojnë të konkurojnë – kur mbyll televizionin, sepse e quan pronën shtetërore si pronë të vetën personale, për ta përdorur për interesa fitimi e korrupsioni!
Nën petkun e një demokracie formale, vendi po qeveriset nga një regjim ku fasada pluraliste mbulon një realitet gjithnjë e më diktatorial. Këtu vota është përçudnuar, drejtësia është një dekor, institucionet janë shërbëtore të pushtetit, dhe liria po ngulfatet çdo ditë, ngadalë, por me saktësinë e një helmi të përditshëm.
Të gjitha duken demokratike: zgjedhjet, parlamenti, drejtësia, por në thelb janë thjesht mjete për të riprodhuar pushtetin. Nuk ka kontroll, nuk ka transparencë, nuk ka ndëshkim!
Mbyllja e TV 24 është kambanë alarmi për demokracinë shqiptare, heshtja ndaj 6000 të zhdukurve dhe përçudnimi i pushtetit ndaj atyre shqiptarëve që u vranë për fjalën e lirë është piskamë kombëtare. Ku vemi?! Ne duhet t’i themi ndal këtij pushteti diktatorial, të mbrojmë lirinë tonë. Liria është e shenjtë dhe ajo duhet mbrojtur me çdo kusht. Sot Havzi Nela, në 37-vjetorin e varjes së tij, na apelon:
Ma mirë le t’i mbylli sytë
Ma mirë zemra le t’pushojë
Ma mirë mos me pa ma dritë
Kur harbuti t’më sundojë!
Ma mirue nga kjo botë të ndahem
Ma mirë krimbat le t’më hanë
Ma mirë gurë e dhé të bahem
Kur i ligu nis më shamë!
Ma mirë lis, lëndin’ a fush’
Ma mirë bar, kullotë bagëtie,
Ma mirë mos me t’njohë kurrkush
Kur zuzari t’rrin mbi krye!
Ma mirë bota le të thonë:
“Vdiq i mjeri, shkoi me nder!”
Se i rrëzuem përgjithmonë
Me më shkelë një derr beter!
Burrel, 1977
/syri.net
















