Nga Samuel Laze
Data 14 Mars në vetëdijen tonë kolektive shënon nisjen e pranverës dhe sjell një gëzim të natyrshëm në mesin e njerëzve. Kjo edhe për faktin e ndikimit psikologjik që simbolizon pranvera në vetvete si fillim dhe lulëzim i diçkaje të re. Por cili është historiku i kësaj feste që sot ka marrë përmasa kombëtare? A është vërtetë një festë antike me motive pagane sikurse propagandohet apo akumulimi emocional që vjen si rrjedhojë e kësaj feste po keqpërdoret për tu katapultuar në prehrin e komiteteve anti-shqiptare nën perden e versionit negativ të nacionalizmit?
Pikësëpari, që në kohët e hershme, si një manifestim i gjendjes së tyre shpirtërore, popuj të ndryshëm kanë zhvilluar aktivitete me nisjen e pranverës. Ky është një fakt i pamohueshëm dhe një rrjedhojë normale e natyrës së njeriut. Veçse, në aspektin tonë kombëtar lidhja e këtij manifestimi që zhvillohet në Elbasan, në datën 14 Mars me perëndeshën e gjuetisë, pyejve dhe natyrës (!) transmetuar nga një gojëdhënë (!) përveçse nuk përbën argumentim shkencor, historik nuk është gjë tjetër veçse abuzim me informacionet e kufizuara që gjenden në qarkullim. Në mesin e popullit, sidomos te brezat e vjetër do të rastisim dy data për kremtimin e kësaj feste: datën 1 Mars që njihet mes njerëzve edhe si Dita e Verës allafrënga dhe datën 14 Mars e cila konsiderohet Dita e Verës allaturka. Madje disa 1 Marsin e konsiderojnë festë të krishterë ndërsa 14 Marsin si festë myslimane. Sigurisht që veshja e kësaj feste me ngjyrimet e besimit, edhe pse nuk është shkencërisht e saktë, e shprehur në mënyrë të tillë në mesin dhe nivelin e popullit të thjeshtë, reflekton një pasqyrë historike të fshehur në subkoshiencën e tyre. Madje, në disa familje edhe Viti i Ri pritet në datën 14 Janar. Por çfarë domethënie ka data 14 në aspektin historik?
Në Perandorinë Osmane kalendari i përdorur prej shekujsh ishte kalendari hixhri. Ky kalendar u vendos gjatë hilafetit të Hazreti Omerit (r.h) në vitin 17 të hixhretit. Arabët edhe më përpara Islamit përdornin një kalendar hënor. Koha që i duhet hënës për tu rrotulluar rreth Tokës është fiks 365 ditë ndryshe nga kalendari diellor në të cilin nevojitet një vit i brishtë. Pas një përdorimi për një kohë të gjatë të këtij kalendari, osmanët filluan të hasnin vështirësi në grumbullimin e taksave. Për shembull, nëse koha për dhënien e taksave ishte caktuar muaji Shaban, me kalimin e viteve ky muaj rastiste në periudhën e dimrit dhe për këtë arsye shteti siguronte më pak të ardhura[i]. Është për këtë arsye që në fillim të shek. XIX u hartua kalendari Rumi[ii] (pa e abroguar kalendarin hixhri) i cili ishte një kalendar diellor që merrte si pikënisje hixhretin. Data e fillimit të muajit sipas këtij kalendari ishte data 14. Këto kalendare janë përdorur në Shqipëri deri në kohon e reformave të Ahmet Zogut[iii]. Kalendari Gregorian që përdorim ne sot është prezantuar nga Papa Gregori XIII në vitin 1582, i cili është një modifikim i kalendarit Julian (viti 45 p.e.s). Para kalendarit Julian përdorej kalendari Romak i cili kishte 10 muaj dhe bazohej në ciklin hënor. T’i thuash popullit që “në antikitet elbasanllinjtë prisnin 14 Marsin (sipas cilit kalendar?!) dhe festonin Ditën e Verës me ballokume ka një mungesë koherence të tillë që; të propagandosh këtë pretendim ka vetëm dy mundësi: ose duhet të heqësh dorë nga përdorimi i mendjes ose është një projekt i qëllimtë.
Qëllimet mund të jenë të shumta ku ndër to mund të përmendim:
– Krijimi i një vakumi në vetëdijen historike. Kjo realizohet duke shkëputur çdo lidhje me historinë e afërt, me gjyshërit, stërgjyshërit dhe të parët tanë, duke krijuar një vakum kulturor dhe duke fshirë të kaluarën perandorake të shqiptarëve (nën perden e nacionalizmit me justifikimin se po sulmojmë “pushtuesin osman” synojnë zhbërjen gjenetike të shqiptarëve për ta paraqitur Islamin (hasha) si diçka të importuar që ka hyrë në vendin tonë pas 1990. Kjo është një temë tjetër.) Më pas duke qënë se natyra e njeriut nuk pranon vakum, këtë zbrazëti e mbushin me teori të të parëve hipotetik, të cilat kërkojnë një ekspertizë të hollë për tu verifikuar nëse janë të sakta apo jo. Personaliteti i një njeriu formohet nga ndikimi i tri shkencave që janë historia, letërsia dhe religjoni. Kush kontrollon këto ka kontrolluar popullin….
– Shkëputja nga realiteti. Në një kohë kur borxhi publik ka shkuar në 7000 $ për frymë, duke i mbajtur shqiptarët të emocionuar me teori të tilla nacionaliste sigurojnë mpirjen e tyre totale duke mos i lënë mundësi reagimi për ngjarjet aktuale, Sot kemi nevojë më së shumti për nacionalizëm ekonomik gjë që do të na kthente nga një popull që punon për të ngritur piramidat e firaunëve modern në një popull që mendon për zhvillimin e vendit të vet!
Si përfundim mund të themi që Dita e Verës është një ditë gëzimi elbasanase që zanafillën e ka pas nisjes së shek. XIX.
[i] Në P.O taksat mblidheshin mbi kapitalin dhe jo mbi fitimin.
[ii] Në gjuhën arabe me Rum nënkuptohej edhe Anadolli. (Psh. Mevlana Xhelaledini Rumi) Kalendari Rumi d.m.th kalendari anadollian
[iii] Shih. Ali Musa Basha, Historiku i Islamit në Shqipëri (1912-1967)