Shqiperia

‘Djali i deputetit përdhunoi vajzën’, Kryemadhi reagon pas denoncimit të oficerit

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e ka cilësuar një skandal të radhës dëshminë e oficerit të policisë Emiljano Nuhu, i cili denoncoi publikisht se është kërcënuar me armë për të mbyllur dosjen e djalit të deputetit të PS-së, Rrahman Rrahja, i akuzuar për përdhunimin e Xhensila Malokut.

Kryemadhi nga qyteti i Lezhës, atje ku po zhvillon edhe një takim me strukturat, dënoi ngjarjen, ndërsa shtoi se ky vend është kthyer në një bandë.

“Besoj se e keni dëgjuar por sot ka ndodhur nja skandal tjetër i radhës. Një ish-oficer i Policisë Gjyqësore ka denoncuar se si ditën për diell, në mes të Komisariatit të Policisë në Fushë Krujë, i është vendosur pistoleta në kokë për të mos pranuar kallëzimin e një vajze të re, jetime, cila ishte dhunuar, rrëmbyer dhe përdhunuar nga djali i një deputeti. Kjo është shumë e rëndë. Mezi po pres të shoh këto shoqatat në mbrojtje të grave, të cilat bëjnë projekte pa fund dhe kanë marrë në zyrat e Komisionit Evropian apo të ambasadave të huaja, mezi po pres të shoh ato personazhe publike që flasin nëpër televizione për dhunën ndaj grave, mezi po pres të shoh deklaratat e tyre në përkrahje të kësaj vajze, e cila është jetime, e ka të pamundur mbrojtjen e saj nga familjarët, që ka qenë viktime e dhunës apo edhe e epsheve të një djali socialisti më të përkëdhelur seç duhet. Dhe më e tmerrshmja është që pistoleta në kokë i vihet në prezencë të kryetarit të bashkisë dhe të një kolegut tonë deputet. Kjo nuk ka ku të rrijë më. Ky vend është kthyer në një bandë. Dhe njerëzit do të fillojnë të bëjnë vetëgjygjësi. Sot e bënë me një vajzë e cila nuk ka të atin, por nesër ato do të fillojnë ta bëjnë me fëmijët tanë”, pohoi Kryemadhi.
Burimi: BalkanWeb