“Do hapet kufiri”, lajmet e rreme futin në kaos Greqinë me emigrantët

Një lajm i rremë në rrjetet sociale se Greqia do të hapë kufijtë ka shkaktuar kaos me emigrantët jashtë një kampi ushtarak pranë qytetit të Selanikut.

Qindra emigrantë u mblodhën jashtë kampit duke planifikuar një udhëtim të gjatë përmes kufijve të ruajtur të Ballkanit për të kërkuar azil në një nga vendet e BE-së.

Policia tha se më shumë se 500 persona, përfshirë familje me fëmijë të vegjël, u mblodhën të enjten në një fushë gruri jashtë kampit ushtarak të Dhiavatës, rreth 10 kilometra në perëndim të Selanikut. Disa ngritën çadra. Dhjetëra të tjerë po afroheshin në këmbë.

Emigrantët e kaluan natën jashtë ndërsa forca të shumta policore po monitorojnë situatën.

Tensionet nuk munguan, teksa një 37-vjeçar nga Iraku u arrestua për rezistencë ndaj policisë.

Emigrantët thanë se marshimi i tyre nisi pas një thirrje anonime në mediat sociale, sipas të cilës do të hapej kufiri i Greqisë me Maqedoninë e Veriut, 60 kilometra larg. Ata shpresonin se të do të mund të vazhdonin emigrimin e tyre, rrugë kjo e mbyllur prej 2016.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët ka paralajmëruar emigrantët të injorojnë thirrjet e mediave sociale, duke thënë se kalimet kufitare të parregullta janë “të rrezikshme”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne