‘Do shihemi në votime’, Kryemadhi: Rraja ndoqi logjikën e Ramës

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka sulmuar ashpër qeverinë ‘Rama’, ndërsa është ndalur sërish tek rasti i Xhisiela Malokut. Gjatë një takimi me strukturat e LSI-së në Prrenjas, Kryemadhi tha se qytetarët duhet t’i drejtohen bandave që të zgjidhin hallet.

Po ashtu Kryemadhi komentoi deklaratën e Ramës për oficerin Emiljano Nuhu që denoncoi djalin e deputetit të PS Rraham Rraja, me pretendimin se ai e kishte kërcënuar. Kryetarja e LSI tha se Rexhep Rraja kërcënoi nga gjykata se ‘do të shihemi në votime’, logjikë sipas saj që ka ndërtuar edhe Rama.

“Sot qytetarët për të zgjidhur një hall duhet t’i drejtohen bandave, ashtu si rasti në Nikël. Vajza denoncoi tre herë në polici e prokurori dhe pasi u zbulua nga nën oficeri, kryeministri tha se ‘do te ndjekim këmba këmba mor horr’. Nëse vajza ka gënjyer pse djali i deputetit është në burg? Kryeministri është i qetë kur krimi mbulohet dhe shqetësohet kur denoncohet. Ne nuk kemi më kohë të presim që ky kryeministër të ndryshojë, sepse nuk mund të ndryshojë, është koka e meduzës së krimit të organizuar që ka emrin e Edi Ramës. Rraja kërcënoi nga gjykata ‘do të shihemi në votime’, kjo është logjika që ky kryeministër ka ndërtuar në funksion të bandave e krimit. Rama mendoi se do frikësoje opozitën e qytetarët e deri diku i ka ecur. Ka me qindra raste si Xhisiela Malokut, që sot nuk kanë autor”, tha Kryemadhi.

Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne