Dosja ‘Partizani’/ GJKKO rrëzon kërkesat e Berishës dhe Malltezit, legjitimohen provat dhe hetimet e SPAK

Kërkesat e paraqitura janë pabazuara në ligj dhe prova. Kërkesat e tjera për tejkalim të kompetencave nga SPAK janë të pabazuara në ligj e prova. Të gjitha pretendimet për masat e sigurimit i janë nënshtruar kontrollit gjyqësor deri në gjykatën kushtetuese, çka nuk mund të flitet për pavlefshmëri

GJKKO ka rrëzuar kërkesat e ish-Kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi dhe të pandehurve të tjerë, mes të cilëve edhe ndërtuesit Fatmir Bektashi, që kërkonin pavlefshmërinë e akteve të SPAK-ut lidhur me hetimet e kryera për atë që njihet si ‘Dosja Partizani’.

Gjatë seancës, prokurorja e SPAK Enkeleda Millonai lexoi kërkesën për gjykimin e çështjes, ndërsa GJKKO rrëzoi kërkesën e Berishës dhe të pandehurve të tjerë për pavlefshmëri të akteve dhe papërdorshmëri të provave që janë gjetur deri më tani nga SPAK, me argumentin se kërkesa është e pabazuar në ligj dhe në prova.

Më konkretisht të pandehurit e dosjes ‘Partizani’ kërkonin që të zhbënin vendimet e legjitimuara nga gjyqtarja paraprake Irena Gjoka, e cila prej shumë muajsh është vendosur nën sulme të vazhdueshme nga Berisha e Malltezi.

Berisha, Malltezi dhe të pandehurit e tjerë pretendonin për tejkalim kompetencash nga SPAK, por sipas GJKKO-së, këto pretendime nuk qëndrojnë.

Gjithashtu GJKKO lidhur me masat e sigurisë, është shprehur se ato kanë kaluar në të gjitha hallkat e gjyqësorit, përfshi edhe Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se për këtë arsye rrëzohet kërkesa për pavlefshmëri absolute.

“Kërkesat e paraqitura janë pabazuara në ligj dhe prova. Kërkesat e tjera për tejkalim të kompetencave nga SPAK janë të pabazuara në ligj e prova. Të gjitha pretendimet për masat e sigurimit i janë nënshtruar kontrollit gjyqësor deri në gjykatën kushtetuese, çka nuk mund të flitet për pavlefshmëri”, u shpreh trupa gjykuese.

Sa i takon pretendimeve për ekspertë të pa licencuar apo në konflikt interesi, GJKKO vlerëson se këto raste nuk përbëjnë shkak për pavlefshmëri të akteve.

Sipas GJKKO-së, arsyet e paraqitura nga mbrojtja janë thjesht deklarative, ndërsa ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore kanë vepruar në përputhje me ligjin.

Gjykata ka njoftuar se do të thërrasë një ekspert topograf për të dëshmuar mbi njohuritë dhe kualifikimet e tij, përpara se të shprehet mbi një nga kërkesat që lidhen me pavlefshmërinë absolute.

Ndërkohë, GJKKO ka rrëzuar edhe pretendimin për sekuestrimin dhe ekspertimin e pajisjeve kompjuterike si të kundërligjshëm. Sipas GJKKO-së, sekuestrimet e kryera në “Studio Pustina” dhe të dhënat e marra nga shoqëria “Homeplan” janë të ligjshme, por gjykata ka konstatuar se të dhënat e përfituara nga pajisjet që u janë kthyer më pas të pandehurve janë të papërdorshme.

“S’ka shkelje te afateve për ekspertimet. S’ka fakte qe ka patur paanshmëri te eksperteve apo janë ndikuar”, ka argumentuar GJKKO.

Gjykata ka konstatuar se disa prej pretendimeve të ngritura nga mbrojtja nuk hyjnë në kategorinë e kërkesave paraprake, por duhet t’i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor gjatë procesit në themel.

Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”./pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne