Drafti i opozitës për listat e hapura 100%, Meta apel palëve: Koha për reflektim!

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas propozimit të Opozitës së Bashkuar të depozituar një ditë më parë në Këshillin Politik për listat e hapura 100%.

Meta thotë se opozita është e vendosur për të ndërtuar një konsensus në të kundërt të Rilindjes.

Ai thekson se çdo akt i njëanshëm që përmbys Marrëveshjen e 5 Qershorit do të ishte një atentat dhe provokim i patolerueshëm ndaj rendit kushtetues e demokratik dhe të ardhmes europiane të vendit.

“Përshëndes zyrtarizimin e propozimeve të Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik dje.

Opozita është e vendosur për të ndërtuar konsensus në të kundërt të Rilindjes, që kërkon me insistim konfliktin, shtrembërimin e zgjedhjeve dhe asgjësimin e Këshillit Politik si instrument vendimmarrës konsensual.

Drafti i paraqitur nga Opozita realizon hapjen e listave 100% dhe respektimin e plotë të barazisë gjinore, përkundrejt mashtrimit dhe mbylljes 100% të listave nga Rilindja.

Drafti i opozitës respekton konsensusin e arritur dhe Marrëveshjen e 5 Qershorit.

Drafti i Opozitës kërkon opinionin e ODIHR për çështjet që nuk ka dakordësi, si një palë e paanshme dhe si vëzhguesit zyrtarë të zgjedhjeve.

Opozita ka ndërmarrë çdo hap, që çon përpara procesin e integrimit europian të Shqipërisë ku reforma zgjedhore, zbatimi i saj dhe hetimi i krimit elektoral janë kushtet kyç që përcaktojnë hapjen e negociatave për anëtarësim.

Çdo akt i njëanshëm që përmbys Marrëveshjen e 5 Qershorit do të ishte një atentat dhe provokim i patolerueshëm dhe i paamnistueshëm ndaj rendit kushtetues e demokratik dhe së ardhmes europiane të vendit. Koha për reflektim”,shkruan Meta./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne