Dy protesta që në thelb janë Një

Qeveria e Edi Ramës përballet aktualisht me dy protesta aktive në Tiranë. E para është protesta disa mujore për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe e dyta është protesta e banorëve në zonën e Astirit.

Në të parën disa pak artistë dhe disa më pak qytetarë po protestojnë për ruajtjen e një godine që ka edhe ajo historinë e saj. Dhe protesta këtu merr kuptim edhe nga fakti se mënyra sesi po veprohet për ta prishur dhe se çfarë do të ndodhë me hapësirën publike është shumë e paprpanueshme. Në Shqipëri nuk ka më Gjykatë Kushtetuese ndaj shpresa se drejtësia do të aplikohet vetvetiu është e paqenë.

Protesta e dytë ka brenda elementë kompleksë. Së pari, rruga duhet bërë. Por nëse banorëve u është vjelë taksa e infrastrukturës prej vitesh dhe u është bërë vlerësimi I objekteve prej vitesh dhe nuk u është dhënë por as refuzuar leja e legalizimit, atëherë këtu shteti kapet në bashkëfajësi.

Nga pikëpamja politike, protesta e banorëve me presionin që ushtron rigjeneron protestën për Teatrin, ndonëse të dyja zhvillohen për interesa të ndryshme. Do të ishte shumë shpresëdhënës fakti nëse qytetarët në Tiranë do të kuptonin se protestat që provokohen nga akte arbitrare të qeverisë duhet të aktiviziojnë reagimin qytetar në masë për të kufizuar marrëzi të tilla që në thelb udhëhiqen jo nga interesi publik siç pretendohet, por nga interesa private. Përndryshe do të gjejmë veten në kushtet kur për çdo gjë do të mbetemi vetëm mes spektatorëve që thjesht presin radhën të jenë viktima.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne