Pas synimit të administratës së presidentit Donald Trump për të mbyllur agjencinë amerikane të ndihmës USAID me argumentin se ka keqpërdorur fondet, në Republika Serpska në Bosnje Hercegovinë ka mbërritur Martin De Luca, një ish-prokuror amerikan që tashmë është pjesë e ekipit të Presidentit Trump për të hetuar mbi keqpërdorimin e parave të taksapaguesve amerikanë në vendin Ballkanik, bëjnë të ditur mediat boshnjake.
Ai deklaroi për mediat në Banja Luka se në Bosnjë dhe Hercegovinë ka nisur një hetim për shpenzimin e parave të USAID dhe se informacionet e para flasin se në katër vitet e fundit janë shpenzuar 402 milionë dollarë, prej të cilave 250 milionë dollarë nuk u dihet destinacioni.
“Kam punuar së fundmi me ekipin tim mbi një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me USAID-in në lidhje me fondet që mund të jenë keqpërdorur ose që kanë humbur. Presidenti Trump është treguar i vendosur në angazhimin e tij për të zbuluar se çfarë ka ndodhur. Jemi këtu në Bosnjë për të parë se si janë shpenzuar paratë e taksapaguesve amerikanë. Presidenti Trump dhe prokurori i përgjithshëm janë treguar shumë të qartë për këtë”, shprehet prokurori amerikan.