E dini ç’është hipokrizia?/ Na e mëson “Top Channel”

Ky televizion kombëtar, më i famshmi dhe më i ndjekuri deri para disa viteve (kur nisi kriza), ka muaj që është kthyer në një makineri gjobash. Me filozofinë e re të drejtuesve aktualë, “Top Channel” sulmon kudo ku mundet dhe përpiqet të thithë deri në palcë çdo kompani të madhe të vendit, si e si për të nxjerrë disa lekë më shumë dhe për të përballuar krizën.

Sikur të mos mjaftonin lajmet kundër ndonjë gjyqtari apo personazhi publik, për të cilat është komentuar gjerë e gjatë së fundmi nëpër portale, “Top Channel” pati nisur një sulm të madh ndaj kompanive të basteve. Çdo javë ky televizion publikonte lajme duke bërë moral për ekzistencën e pikave të basteve në rrugët e Tiranës, më saktë për shtimin e tyre.Duke iu referuar operacionit famëkeq – nuk u realizua kurrë – “Fundi i Marrëzisë”, i reklamuar pafund para disa vitesh nga kryeministri Edi Rama kundër bixhozit në lagjet e kryeqytetit dhe jo vetëm, “Top Channel” deri para fillimit të Botërorit dilte nëpër rrugët e Tiranës duke u ankuar për çdo pikë bastesh.

Po çfarë ndodhi nga mesi i qershorit? Shumë e thjeshtë. Në “Top Arena”, praktikisht emisioni “Procesi Sportiv” për Botërorin, u afruan dy kompani bastesh, të cilat u bënë sponsorë. Edhe studioja është pushtuar nga këto kompani, se pjesa e reklamave para, gjatë dhe pas emisionit nuk diskutohet. Pra, kaq mjaftoi. “Top Channel” e shiti veten lirë dhe harroi moralin.

Kjo quhet hipokrizi. Të bësh Nënë Terezën para 3 milionë shqiptarëve për disa muaj dhe pastaj të ndryshosh gjithçka thjesht për disa mijëra euro më shumë… Kur kjo i ndodh një televizioni gjigant si “Top Channel”, ç’mund të presësh nga portalet apo televizionet lokale? Sa keq! E dhimbshme dhe e turpshme. Shqiptarët nuk dinë më ku të shohin lajme.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne