Nga Rezart Dani
Në numrin (86) të datës 22.6.1878 të gazetes “Terxhumani Shark” Samiu dëshmon se krahina e Toskërisë që quhet Epir, që nga kohët e vjetra ka qenë Shqipëri dhe se Pirroja, Aleksandri i Madh dhe Aristoteli do t’i kenë takuar racës shqiptare. Epir, shkruan Samiu, në gjuhën greke do të thotë stere, vendasit nuk e quanin me këtë emër. Grekët e vjetër këtë krahinë nuk e kanë numëruar Greqi, por e patën parë me pamje si “varvaros”, barbarë, do me thënë si tokë e huaj. Përderisa historianët grekë, – argumenton Samiu në shkrimin e tij, çdo pëllëmbë të tokës së Greqisë e kanë përshkruar me detaje dhe gjerë e gjatë, Epiri për shumë kohë ishte i panjohur për historinë. Kjo dëshmon se kjo krahinë konsiderohej si një tokë jashtë Greqisë.
Pasi flet për disa përzierje të gjuhëve dhe kulturave në zonat kufitare sidomos në krahinën greke të Eolisë, Samiu shpjegon origjinën e pellazgëve, të cilët kanë qenë para grekëve. Me ardhjen më vonë të helenëve pellazgët u shtynë në Thesali dhe prej andej në Epir. Kurse disa prej tyre kishin shkuar në Itali”. Meqënëse në kohën e dyndjes së tyre në Evropë, – shkruan Samiu, helenët ndodheshin në gjendjen e barbarisë, kishin pranuar besimin e pellazgëve dhe kishin marrë shumë gjëra nga gjuha e tyre. Nga përzierja e gjuhës së tyre, lindi në Greqi një gjuhë e cila me kalimin e kohës u nda nga pellazgjishtja. Këtu gjen mbështetjen shkaku pse gjuha e poetit Omer të “Iliadës dhe Odisesë” shihet si më e afërt me pellazgjishten si gjuha e filozofit Platon. Samiu përmend edhe një fakt tjetër lidhur me këtë çështje se emrat e perëndive greke, pothuaj të gjithë janë pellazgjisht dhe arrin në përfundimin se gjuha e vjetër e Epirit nuk ka qenë greqishtja, por ka qenë pellazgjishtja.
“Historishkruesi i Greqisë së vjetër, Pintarku dhe gjeografi Straboni e thonë qartë se Epiri përdorte një gjuhë të veçantë, se edhe në Maqedoni nuk flitej gjuhë veç kësaj. Straboni në gjeografinë e vet Epirin nuk e përmend në pjesën që i kushtohet Greqisë, kurse Ilirinë dhe Maqedoninë i ka trajtuar së bashku, – shkruan Samiu në përgjigje të “Neologos”-it. Duke vazhduar më tej ai jep argumente të tjera lidhur me gjuhën duke arritur në përfundimin: “E si të mos themi me bindje të plotë se këta janë stërnipat e pellagëve? Pra, mendoj, shkruan dijetari i madh, se kemi mundur të dëshmojmë që banorët e Epirit (si ata të Maqedonisë) kanë qenë pellazgët, se pellazgë do të thotë shqiptar, dhe se për këtë arsye Epiri që nga kohët e lashta ka qenë tokë shqiptare.
Edhe gjeografi i shquar Malte Bron vërteton këtë tezën tonë dhe e provon me fakte të pakundërshtueshme, – përfundon arsyetimin Samiu, duke vazhduar me një arsyetim tjetër: “Ndërsa, përsa u përket Pirros, Aleksandrit dhe Aristotelit, deri sa i pari është bir i tokës së Epirit dhe dy të tjerët janë bij të tokës së Maqedonisë, pse të mos pranojmë se ata kanë qenë shqiptarë? Dihet se edhe vetë grekët i quanin “varvaros”, d.m.th të huaj. Ligjëratat që ka mbajtur Demosteni kundër Filipit, atit të Aleksandrit, ekzistojnë edhe sot e kësaj dite”.
Më tej Samiu tregon se kur ndodhej në Azi Aleksandri i pati folur njërit prej gjeneralëve të tij me një gjuhë që flitej vetëm në vendin e vet. Që të ketë qenë bullgarisht, thotë ai, dihet që bullgarët kanë ardhur vonë në Evropë. Nga Plutarku e Straboni kemi mësuar se Maqedonia dhe Epiri kishin një gjuhë të përbashkët. Prandaj, gjuha e veçantë, që ka folur Aleksandri natyrisht do të ketë qenë pellazgjishtja, dmth, shqipja dhe vetë ai dhe mësuesi i tij, Zoti e di mirë, kanë qenë shqiptarë.
Sa për përkatësinë shqiptare të Skënderbeut është e kotë t’i hyjmë punës për të dëshmuar një gjë të tillë, përfundon artikullin e tij polemik Samiu.
Sami Frashëri – grekëve: “Kam ngrënë bukën time, s’më kini ushqyer ju”!
Aq poshtë ranë kalemxhinjtë filogrekë sa harrojnë ose bëjnë sikur harrojnë historinë e familjes së shquar të Frashërllinjve, që krahas çështjes kombëtare, dha një kontribut të çmuar në administratën e atëhershme turke. Më e dallueshme në këtë drejtim ka qenë puna shkencore e Samiut. Po ndaj tij, gazeta greke e asaj kohe lëshon një lumë akuzash e sulmesh personale. Arrijnë deri atje sa i thonë se edhe mendjen e ka nga ata. Po ku kishte ky njeri një të metë. E vetmja, sipas grekëve, ishte se Samiu kishte harruar bukën që i kishin dhënë grekët, kur kishte studiuar në gjimnazin “Zosimea” të Janinës.
“Shyqyr zotit, thotë Samiu, nuk kemi patur nevojë për ta na ushqyer të tjerët”. Dhe vërtetë ai s’ka marrë bursë ose ndihmë financiare greke, por, siç dihet, për të shpenzonte vëllai më i madh i tij, Avdyli, që e kishte nën mbikëqyrje e kujdes. “Për këtë ka inat, thoshin kalemxhinjtë e fletushkës greke”. Por edhe këtë problem Samiu e qartëson mirë, duke thënë se nuk jemi rritur me edukatën greke, vetëm kemi mësuar gjuhën greke, në një shkollë greke. Ne nuk kemi ndjekur këtë shkollë për t’u ushqyer si “epitropos”, por për të marrë kulturë.
Më tej Samiu përmend se shkolla greke, edhe ato të Athinës janë ngritur nga toskët, siç është një nga ata, Zhapa, dhe mbahen me shpenzimet e tyre. Duke përfunduar Samiu shkruan: “Mos u dashka vallë që një njeri që ka qenë në një shkollë greke, e cila gjendet në territorin e perandorisë osmane ose edhe në territorin grek, të tradhtojë origjinën dhe kombësinë e vet, për të përkrahur pretendimet e padrejta të grekëve? A nuk do ta quante të ligjshme e ta miratonte “Neologosi” shërbimin që do t’i bënte një grek që ka studiuar në Petersburg, panësllavizimit në vend të interesave greke.
/marrë nga profili i tij në Meta