NGA EDUARD HALIMI
Ngjarja
Të dy funksionarët politikë u prangosën në autostradë në mes të publikut në mesditë dhe u shoqëruan në ambientet e policisë ku pas disa orësh Metës iu dha vendimi gjyqësor, ndërsa Artemis Peca u lirua pasi nuk kishte asnjë vendim.
Në dy deklarata të shpërndara, SPAK dhe BKH mohuan që tē kenë bërë ekzekutimin e vendimit të GJKKO të kërkuar në datën 9.10.2024 dhe miratuar pas 11 ditësh në datën 20.10.2024 ditën e diel, ndërsa polica pranoi se e kishte kryer ajo ekzekutimin por u justifikua për dhunën nga rrethana ende te pakonfirmuara deri në momentin e këtij shkrimi.
Asnjë provë deri tani gjithashtu nuk është publikuar nga policia se janë respektuar qartë procedurat ligjore, që janë të përcaktuara në nenin 28 të Kushtetutës së Shqipërisë.
Po e them që në fillim se nuk kam asnjë informacion më shumë se njoftimi i SPAK ditën e djeshme lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale ndaj Ilir Metës, dhe nuk kam as ndonjë vlerësim për vendimin gjyqësor që po ashtu nuk e kam, por analiza më poshtë ka të bëjë me ekzekutimin e vendimit nga Policia e Shtetit.
Ilir Meta ka avokatët e tij, të cilët me siguri janë duke përgatitur mbrojtjen, por qëllimi i këtij shkrimi, jashtë stigmatizimit të personave të përfshirë dhe dyshimeve të ngritura për vepra të rënda penale, është interesi publik, nëse kjo mënyrë sjelljeje e policisë, trajtimi degradues dhe gati çnjerëzor, arrestimi publik i treguar në videot e djeshme, përmbush standardet minimale ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e të arrestuarve, duke përfshirë vendime gjyqësore nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR).
Unë e di që, nëse ky trajtim degradues e çnjerëzor do t’i kishte ndodhur një qytetari të thjeshtë, shitësi ambulant ose një studenti, me siguri reagimi qytetar do të ishte i madh, por stigmatizimi dhe retorika politike nuk duhet të na pengojnë që të themi qartë se ligji dhe kushtetuta janë minimalisht të barabartë për të gjithë, dhe për më tepër se ndaj një ish-presidenti, ish-kryeministri si Meta dhe zyrtari si Artemis të paarmatosur nuk paraqisnin dukshëm asnjë rrezik publik në autostradë, në makinën e tyre, që dhjetëra makina pa mbishkrime policore dhe dhjetëra policë me maska dhe pa shenja dalluese policore të terrorizonin publikun me armatim të rëndë, duke tërhequr zvarrë nga makina personat e sipërpërmendur me një trajtim degradues.
Nga ana tjetër, policia, duke dëmtuar procedurat e ndjekura, mund të sjellë pasoja serioze për integritetin e sistemit të drejtësisë dhe të dëmtojë rëndë gjithë procesin, për të cilin interesi publik është i madh gjithashtu.
Kushtetuta Shqiptare dhe Konventa Europiane
Shumë police në rrugë më thërrasin pedagog, nisur nga një eksperiencë e shkurtër 2 vjeçare në Akademinë e Policisë 28 vjet më parë, ku në çdo fillim të sesionit të Procedurës Penale e filloja duke i thënë studenteve të vitit të parë në Akademi se leksioni i parë, është : “Mos tërhiqni zvarrë qytetarët gjatë një arrestimi dhe lexojini te drejtat në momentin e prangosjes.”
Dhe kaq gjë e di edhe dikush që nuk është ulur në bankat e Akademisë së policisë. Po çfarë parashikon Kushtetuta dhe Konvente Evropiane e të Drejtave të Njeriut?
Neni 27/1 i Kushtetutës parashikon :
1.Askujt nuk mund t’i hiqet liria, përveçse në rastet dhe sipas procedurave të parashikuara me ligj.
28/1 i Kushtetutës së Shqipërisë parashikon se:
2.Kushdo, të cilit i hiqet liria, ka të drejtë të njoftohet menjëherë në gjuhën që ai kupton, për shkaqet e kësaj mase, si dhe për akuzën që i bëhet. Personi, të cilit i është hequr liria, duhet të njoftohet se nuk ka asnjë detyrim të bëjë ndonjë deklaratë dhe ka të drejtë të komunikojë menjëherë me avokatin, si dhe t’i jepet mundësia për realizimin e të drejtave të tij.
Konventa Evropiane e të drejtave të njeriut po ashtu në nenin 5 te saj në paragrafin 1 dhe, nënparagrafet e tjerë parashikon njëlloj se “arrestimi duhet të ndjekë procedurat e duhura dhe çdo person i arrestuar ka të drejtën të informohet menjëherë për arsyen e arrestimit dhe për të drejtat e tij, përfshirë të drejtën për të mos u vetëinkriminuar dhe për të kërkuar një avokat”.
Në rastin e djeshëm, dëshmitë tregojnë se as Ilir Meta dhe as personi tjetër nuk u informuan për këto të drejta, nuk iu komunikua ndonjē vendim gjyqësor, nuk u lejua te telefononin avokatin por u tërhoq zvarrë gjë që dukshëm deri tani mund të përbëje një shkelje të qartë të këtij neni. Çdo arrestim i bërë pa ndjekur këto procedura është i paligjshëm dhe mund të konsiderohet një shkelje e rëndë e të drejtave themelore të njeriut.
Vendime Gjyqësore Relevante nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR)
1.Jarrand v. Franca (2010): Në Francë një individ u arrestua dhe u trajtua në mënyrë të paligjshme nga policia franceze pa iu lexuar të drejtat dhe pa ndjekur procedurat e rregullta. ECHR konstatoi se çdo arrest që nuk përmbush procedurat e kërkuara nga ligji përbën një shkelje të nenit 5 të Konventës, që garanton të drejtën për liri dhe siguri. Ne vendimin Jarrand v. Franca GJEDNJ theksoi rëndësinë e respektimit të të drejtave gjatë arrestimit. Në këtë rast, policia nuk ndoqi procedurat e kërkuara, dhe ECHR vendosi që ndalimi i tij ishte i paligjshëm, pasi të drejtat e të ndaluarit nuk ishin respektuar. Ky precedent mund të shërbejë si shembull për rastet kur një person nuk informohet për arsyet e ndalimit dhe të drejtat e tij .
2.Van Der Leer v. Holandës (1988): GJEDNJ konstatoi shkeljen e nenit 5 të Autoritetet pretenduan se, për shkak se ajo paraqiste probleme psikike, ndalimi ishte i justifikuar. Megjithatë, Gjykata konstatoi se asaj nuk i ishin komunikuar në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme arsyet e ndalimit, edhe pse mund te kishte probleme pskikike prandaj të drejtat e saj sipas nenit 5 § 2 u shkelën. Ky rast është i rëndësishëm pasi tregon se, edhe në rastin e ndalimeve civile (si ndalimi psikiatrik me detyrim), e drejta për t’u informuar menjëherë, qartë dhe në mënyrën e duhur mbi arsyet e privimit nga liria vazhdon të zbatohet.
3.Fox, Campbell dhe Hartley v. Mbretëria e Bashkuar (1990): Në këtë rast kërkuesit argumentuan se informacioni i dhënë në lidhje me arrestimin e tyre nuk ishte i mjaftueshëm dhe se ata nuk u informuan në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme për arsyet substanciale të arrestimit të tyre, duke shkelur kështu të drejtat e tyre nën nenin 5 § 2. Ky rast thekson rëndësinë e respektimit të nenit 5 § 2, i cili garanton që çdo individ i arrestuar duhet të jetë në dijeni të arsyetimit të arrestimit të tij në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme. Gjykata vlerëson se informimi i dhënë në këtë rast, i kufizuar vetëm në një referencë ligjore të përgjithshme, nuk ishte i mjaftueshëm për të përmbushur kërkesat e nenit 5 § 2, duke theksuar se çdo arrestim duhet të ketë një bazë të qartë ligjore dhe faktike që të mundësojë individëve të sfidojnë ligjshmërinë e arrestimit të tyre.
4.Turbylev v. Rusia (2015): Ky rast përfshinte ndalimin e një individi që kishte pësuar dhunë nga ana e policisë. ECHR vendosi që ndalimi i një personi në kushte të tilla dhe përdorimi i dhunës gjatë arrestimit përbënin shkelje të nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose degradues) dhe të nenit 6 (e drejta për një proces të drejtë). Arrestimi i Metës, ku ai u tërhoq zvarrë dhe nuk iu lexuan të drejtat, ngjan me këtë rast dhe mund të përbëjë shkelje të ngjashme .
5.Saadi v. Mbretëria e Bashkuar (2006): Në këtë rast, aplikanti u ndalua, por nuk iu dha informacion i saktë për arsyet e ndalimit në momentin e arrestimit. Gjykata e gjeti të papajtueshme kërkesën për të dhënë arsyet e ndalimit “menjëherë”. Ky rast thekson rëndësinë e ofrimit të informacionit të qartë dhe të shpejtë mbi arsyet e ndalimit, edhe në rastet e ndalimeve civile ose procedurave të emigracionit. Ai rikonfirmon se shtetet kanë detyrimin të informojnë të ndaluarit për arsyet specifike të arrestimit të tyre menjehere, pa vonesa, dhe vonesat do të përbëjnë shkelje të nenit 5 § 2.
6.Z.H. v. Hungari (2012): Rasti shqyrton shkeljen e nenit 5 § 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili parashikon se informacioni të jepet në një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme, duke i mundësuar individit të sfidojë ligjshmërinë e arrestimit të tij përmes gjykatave, siç parashikohet në nenin 5 § 4. Në këtë rast, Gjykata thekson se autoritetet nuk arritën të ofronin informacionin e nevojshëm për aplikantin që të kuptonte arsyet e ndalimit të tij, gjë që cenon të drejtat e tij nën këtë nen. Ky rast thekson rëndësinë e respektimit të nenit 5 § 2 për të garantuar që të gjithë individët, pa përjashtim, të kenë të drejtat e tyre të mbrojtura, duke përfshirë të drejtën për t’u informuar në mënyrë të qartë dhe të shpejtë për arsyet e ndalimit. Kjo çështje nënvizon se çdo vonesë ose mungesë në ofrimin e këtij informacioni përbën një shkelje të rëndësishme të të drejtave të njeriut.
7.Dvorski v. Kroacia (2016): Në këtë rast, GJEDNJ trajtoi të drejtat e të pandehurit për përfaqësim ligjor. Autoritetet kroate nuk lejuan avokatin e zgjedhur të merrte pjesë në procesin e tij të ndalimit. Gjykata konstatoi se moslejimi i të pandehurit të zgjidhte avokatin e tij dhe ndalimi i informacionit për të drejtat e tij përbënte shkelje të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila garanton të drejtën për një proces të drejtë.
Përfundime
Arrestimi i Ilir Metës, pavarësisht nga pozita e tij si ish-president apo lider politik, duhet të trajtohet me respektimin maksimal të të drejtave kushtetuese dhe procedurave ligjore. Ligji shqiptar dhe normat ndërkombëtare kërkojnë që çdo individ ne momentin e ndalimit nuk mund te ushtrohet dhunë nëse nuk paraqet rrezik publik, nuk është i armatosur. Çdo trajtim denigrues dhe degradues rreptësishtë i ndaluar. Ai duhet të informohet për arsyen e arrestimit, dhe të drejtat e tij. Nëse këto të drejta shkelen, siç tregojnë provat në këtë rast, atëherë arrestimi me gjasa mund te konsiderohet i paligjshëm. Hetimi i plotë i kësaj çështjeje dhe respektimi i të drejtave kushtetuese janë thelbësore për ruajtjen e sundimit të ligjit dhe demokracisë në Shqipëri. Precedentët e vendosur nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut na tregojnë qartë se një arrestim i paligjshëm mund të ketë pasoja serioze për integritetin e sistemit të drejtësisë dhe mund të ketë pasoja për gjithë procesin në vijim ku verifikimi i dyshimeve të prokurorisë pritet me interes të madh publik./Panorama