Bota

Egjipti kërkon nga palestinezët të bashkohen për të drejtat legjitime

Ministria e Jashtme e Egjiptit, u ka bërë thirrje palestinezëve të bashkohen në mënyrë që të realizojnë synimet e tyre legjitime.

Në një apel të bërë të dielën, në prag të shënimit të 14-vjetorit nga vdekja e liderit ikonik palestinez, Yasser Arafat, ministria e Jashtme u bën thirrje palëve në Palestinë të bëhen bashkë rreth një lideri, në mënyrë që të arrijnë të drejtat legjitime dhe vendosjen e paqes.

“Nderojmë simbolin e rezistencës palestineze, shpirtin e udhëheqësit Yasser Arafat”, thuhet në mesazhin e ministrisë në Twitter.

Tashmë për një kohë Egjipti po bën përpjekje përmes një “shatëll diplomacie”, ku ka takuar zyrtarët e Hamasit, Fatahut dhe qeverisë izraelite.

Bisedimet u zhvilluan në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një armëpushimi midis Hamasit dhe Izraelit në njërën anë dhe arritjen e pajtimit ndër-palestinez midis rivalëve.

Acarimi i raporteve midis Fatahut dhe Hamasit ka ardhur në shprehje që kur ky i fundit fitoi shumicën dërmuese në zgjedhjet parlamentare të vitit 2006 dhe mori kontrollin e Gazës pas një përleshjeje vdekjeprurëse një vit më vonë.

Kujtojmë se më 11 nëntor të vitit 2004, Arafati ndërroi jetë në Francë në rrethana të paqarta, në moshën 75-vjeçare. Deri në ditët e sotme, mjekët nuk kanë mundur të përcaktojnë arsyen e saktë për vdekjen e tij.

Palestinezët nga ana e tyre akuzojnë Izraelin të kenë helmuar Arafatin, një akuzë të cilën Tel Avivi zyrtar e ka hedhur poshtë./ AA

OPINIONE