Bota

Ekonomia e BE-së bën kthesën

Bashkimi Evropian pritet që më në fund të kapërcejë krizën më të rëndë ekonomike në historinë e tij, duke bërë ristrukturimin më të madh të sektorit financiar me mbylljen e programit të shpëtimit të Greqisë dhe procedurat e fundit për të adresuar deficitin e tepruar.

Sipas një botimi të EurActiv rënia e Lehman Brothers në shtator të vitit 2008 shënoi fillimin e një krize ekonomike që çoi në dy recesione në Evropë, duke detyruar një numër bankash dhe pesë vende të  Eurozonës t’i bashkohen programeit të shpëtimit.

10 vjet më vonë, BE-ja është duke kërkuar një bashkim bankar dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë nga krizat e ardhshme, për të lejuar më pas hyrjen e Greqisë në tregje.

Disa nga çështjet më të vështira të këtij viti, si reformi i eurozonës dhe rinegocimi i borxhit grek do të varen nga rezultati i bisedimeve për krijimin e një koalicioni qeveritar në Berlin. Pasi janë njohur me propozimin franko-gjerman, liderët e BE-së duan të bien dakord mbi një plan të ri për forcimin e bashkimit ekonomik dhe monetar deri në qershor.