Ekrem Imamoglu bëhet kryetar i ri i Bashkisë Metropolitane të Stambollit

Plot 17 ditë pas zgjedhjeve lokale të 31 marsit në Turqi, është shpallur edhe fituesi i garës për postin e kryetarit të Bashkisë Metropolitane të Stambollit.

Ekrem Imamoglu, kandidat i Aleancës Kombëtare të formuar nga Partia Popullore Republikane (CHP) dhe Partia IYI, u bë zyrtarisht kryetar i qeverisjes lokale më të madhe të Turqisë.

Sipas procesverbaleve të votimit, disa prej të cilëve u rinumëruan pas kundërshtimeve të ndryshme, Ekrem Imamoglu ka marrë 4 milionë e 169 mijë e 765 vota, ndërsa kandidati Binali Yildirim i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) 4 milionë e 156 mijë e 36 vota.

Pas regjistrimit të rezultatit në sistemin e Këshillit të Lartë Zgjedhor të Turqisë, Imamoglu mori mandatin e kryetarit të Bashkisë Metropolitane të Stambollit nga Këshilli Elektoral i Rrethit.

Në vijim ai mori në dorëzim detyrën nga kryetari i mëparshëm, Mevlut Uysal, në selinë e Bashkisë Metropolitane të Stambollit në lagjen “Saraçhane”.

“Unë e mora mandatin tim në emër të 16 milionë njerëzve tanë (të Stambolliz), prandaj ndihem shumë i nderuar, i lumtur dhe krenar. Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë dhe i dimë nevojat e këtij qyteti. Ne i dimë edhe kërkesat e të gjithë njerëzve që jetojnë në këtë qytet, prandaj do të fillojmë menjëherë t’u shërbejmë”, u shpreh Imamoglu në prononcimin e tij të parë në postin e ri.

Ndërkaq pritet vendimi i Këshillit të Lartë Zgjedhor në lidhje me kërkesën e paraqitur nga AK Partia për “anulimin e zgjedhjeve në Stamboll me arsyetimin për parregullsi”.

Të mërkurën, një kërkesë e ngjashme i është dorëzuar Këshillit të Lartë Zgjedhor edhe nga Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), partnere e AK Partisë në Aleancën Popullore./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne