Endri Shabani zgjidhet Avokat i Popullit me votat e PS

Me votat e mazhorancës, Endri Shabani u zgjodh sot (11 dhjetor) si Avokat i Popullit, duke marrë 85 vota pro dhe 3 kundër në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkohë, i pranishëm në sallë në orët e vona ishte edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa deputetët e PD-së u larguan nga salla.

Shabani, ish-drejtues i lëvizjes “Nisma Thurje”, ishte një nga gjashtë kandidaturat e miratuara më herët në Komisionin e Ligjeve për votim në seancën plenare, përkrah Ardiana Kalajas, Aranita Brahajt, Besim Ndregjonit, Skënder Halucës dhe Tartar Bazajt.

Votat për kandidatët e tjerë

Tartar Bazaj / 1 pro,79 abstenim, 7 kundër

Aranita Brahaj / 4 pro, 76 abstenim, 7 kundër

Skënder Haluci / 1 pro, 72 abstenim, 14 kundër

Adriana Kalaja / 0 pro, 69 kundër, 17 abstenim

Beism Ndregjoni / 0 pro, 61 abstenim, 25 kundër

Endri Shabani / 85 vota pro, 0 abstenim, 3 kundër

Autogoli i opozitës

Zgjedhja e Shabanit u shoqërua me kundërshtime të forta nga opozita, e cila e cilësoi procesin “të manipuluar” dhe “pa konsensus”. Partia Demokratike kishte firmosur fillimisht për disa kandidatura, përfshirë edhe Shabanin, por më pas i tërhoqi të gjitha.

Deputetët e PD-së pretenduan se Komisioni i Ligjeve shkeli procedurën, pasi lejoi kandidatura që nuk kishin më mbështetje të vlefshme. Ndërkohë mazhoranca nuk pranoi tërheqjen e opozitës duke u shprehur se firmat ishin dorëzuar sikurse e parashikon rregullorja.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, akuzoi mazhorancën se kishte paracaktuar rezultatin dhe kandidatin fitues.
Unë nuk them që nuk i mori firmat Endri Shabani. I mori në një periudhë kur ai mbështeti Florian Binajn, se nuk mund të them që nuk ishte një koalicion moral i plotë i të gjitha forcave politike.

Por pastaj dolën një seri problemesh që faktuan se ai që kishte atë fjalor si opozitar i opozitës, nuk ishte vetëm kaq, por ishte një person me lidhje kryekëput me Edi Ramën,” tha Berisha.

Sipas tij, mazhoranca hodhi poshtë vendimin e Komisionit të Ligjeve që ndalonte firmosjen për më shumë se një kandidat, vetëm për të ruajtur kandidaturën e Shabanit.

Më së paku, Endri Shabani është kryetar i një partie. Grupi parlamentar i PD dërgoi një shkresë në Kuvend ku e informonte se tërhiqte çdo firmë për çdo kandidat.

Dhe këtë vendim të Komisionit të Ligjeve, në mënyrë të habitshme, e hodhi poshtë mazhoranca pa asnjë vendim, vetëm që të mos humbiste firmat për Endrin Shabanin,” shtoi Berisha.

Shabani nga “kritiku i pandalshëm” te i përzgjedhuri i mazhorancës

Para zgjedhjeve të 14 Majit Endri Shabani, thoshte me mburrje se nuk do të bashkëpunonte kurrë me Edi Ramën, apo Sali Berishën duke i quajtur ata “arkitektët e korrupsionit 30-vjeçar”.

Nuk do të bëjmë kurrë koalicion me Edi Ramën, Sali Berishën apo Ilir Metën. Këto janë figurat që simbolizojnë kapjen, korrupsionin dhe vjedhjen e Shqipërisë për 30 vjet me radhë.

Përtej tyre, mund të ketë një rebelim të vërtetë në Kuvend, me ndihmën e ndërkombëtarëve dhe të një shumice të re që do t’i japë këtij vendi jo vetëm një qeveri të re, por një rotacion brezash në politikë.”, deklaronte Shabani.

Sot ndodh e kundërta. Të njëjtët njerëz që ai akuzonte, e propozuan dhe e votuan për postin e Avokatit të Popullit.

Berisha i dha firmat, Rama i dha votat, dhe Shabani, që deri dje i quante “simbol të kapjes së shtetit”, pranoi postin më të lartë të pavarur me ndihmën e tyre./boldnews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne