Erdogan, akuza SHBA-së: Jeni përpjekur të na mashtroni

Presidenti i Turqisë dhe njëherësh kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të martën se asnjë fuqi nuk do të mund t’ia presë rrugën ndërtimit të Turqisë së madhe dhe të fuqishme.

Në ambientet e Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Erdogani mbajti një fjalim emocionues gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të partisë së tij.

Kreu i shtetit turk theksoi se ushtria turke ka spastruar tashmë distriktin veriperëndimor Afrin të Sirisë nga anëtarët e organizatës separatiste terroriste PKK/PYD-YPG. Ai bëri me dije gjithashtu se 3.647 terroristë janë neutralizuar që nga fillimi i operacionit “Dega e Ullirit” më 20 janar e deri më tani.

Më tej, Presidenti Erdogan iu drejtua disa qarqeve të cilat nuk duan që Turqia të zhvillohet.

“Nuk do ta ndalni dot Turqinë. S’do të na pengoni dot që të arrijmë objektivat e vitit 2023. Nuk do të mund t’ia prisni rrugën ndërtimit të Turqisë së madhe dhe të fuqishme. S’do t’ia dilni kurrë të pengoni realizimin e vizioneve tona 2053 dhe 2071. Tashmë zaret u hodhën! Kombi turk shkundi hirin shekullor që e mbulonte dhe rindezi zjarrin e zhvillimit të qytetërimit të rrënjësishëm. Kush është bashkë me kombin tonë në këtë rrugë, do të zërë vendin e tij në Turqi. Ndërsa kush pozicionohet në frontin kundërshtar të kombit tonë, do të pranojë fatin”, u shpreh lideri turk.

Erdogani iu përgjigj edhe zërave “jemi të shqetësuar për Afrinin”, të cilat u ngritën një ditë më parë nga zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me operacionin “Dega e Ullirit”.

“Ku ishit kur ne ju përcollëm shqetësimet tona? Ku ishit kur ne ju thamë ‘ejani t’i spastrojmë bashkë këto organizata terroriste’? Nëse je partner strategjik i yni, atëherë duhet të na respektosh dhe të ecësh bashkë me ne, në krahun tonë. Ju tentuat që të na mashtroni. Futët 5.000 mauna me armë këtu (në Siri). Ne ju kërkuam që të blejmë armë me paratë tona dhe s’na i shitët, por organizatës terroriste ia dhatë falas. Çfarë partneriteti është ky?”, pyeti presidenti turk në shenjë reagimi ndaj SHBA-së.

“Ne do t’i shembim të gjitha ato tunele të hapura dhe depot e armëve apo municioneve brenda tyre. Ata (terroristët) po ia mbathin nga sytë këmbët, por ne po i ndjekim. Kurse ato armë dhe municione po konfiskohen dhe do të konfiskohen gradualisht nga ne”, shtoi ai.

Erdogan nënvizoi gjithashtu se ushtria turke ka marrë nën kontroll qendrën e qytetit Afrin brenda 2 muajve duke shtuar se Forcat e Armatosura të Turqisë dhe Ushtria e Lirë Siriane do të vazhdojnë operacionin për një kohë në mënyrë që të spastrohen nga zona terroristët dhe eksplozivët e mbetur.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne