Erdogan: Besoj se vizita në Berlin do të konsolidojë miqësinë e vjetër turko-gjermane

Jam i bindur që vizita jonë shtetërore në Gjermani do të konsolidojë edhe më shumë miqësinë e vjetër turko-gjermane në çdo drejtim, deklaroi Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në një vlerësim nga rrjeti social, “Twitter”.

Kreu i shtetit turk bëri një postim nga llogaria e tij në median sociale për vizitën që realizoi në Gjermani më 27 dhe 28 shtator.

Teksa po kalojmë nga një periudhë rigjallërimi të marrëdhënieve me Gjermaninë – theksoi Erdogani – falë vizitës shtetërore në Berlin gjetëm shansin të intensifikojmë dialogun në shumë fusha.

“Gjatë vizitës sonë gjetëm konsensusin me Kancelaren e nderuar, (Angela) Merkel, për të rivënë në veprim mekanizmat e bashkëpunimit që nuk funksionin prej një farë kohe. Tani po lëmë pas periudhën e vështirë që patëm me Gjermaninë në të kaluarën e afërt”, vlerësoi ai.

Pasi rikujtoi se me zgjedhjet e 24 qershorit është shfuqizuar edhe regjimi i gjendjes së jashtëzakonshme, një mekanizëm kushtetues për të luftuar me organizatën terroriste gyleniste (FETO) dhe fraksionet e saj pas tentativës tradhtare për grusht shteti të 15 Korrikut (2016); Erdogani vuri në pah se vendi është futur sërish në rrugën e përparimit dhe reformave duke kaluar në sistemin e qeverisë presidenciale.

Duke shprehur vendosmërinë e Ankarasë zyrtare për të vazhduar reformat në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimi Evropian, presidenti turk bëri me dije se do të plotësojnë sa më parë të jetë e mundur 6 kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Turqisë.

“S’duhet të lejohet që procesi i aderimit të Turqisë në BE të ekspozohet ndaj tekave dhe barrierave politike të qarqeve të caktuara. Me rëndësi për ne është mbështetja që Gjermania do t’i ofrojë Turqisë në lidhje me këtë çështje”, tha Erdogani.

“Një tjetër temë që morëm në shqyrtim gjatë vizitës sonë ishte po ashtu përfundimi i luftës në Siri dhe pamë që kemi të njëjtin këndvështrim me Gjermaninë. Ndjeshmëria e shfaqur nga Gjermania për çështjen e Sirisë, sidomos për dimensionin humanitar të saj, është e kënaqshme për Turqinë”, nënvizoi kreu i shtetit turk.

Ai tërhoqi vëmendjen se shifrat e tregtisë së jashtme ndërmjet dy vendeve tregojnë qartë se sa të fuqishme janë marrëdhëniet me Gjermaninë në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, ndërsa vuri në pah se Turqia aspiron t’i fuqizojë edhe më tepër këto marrëdhënie.

Presidenti Erdogan potencoi gjithashtu se fakti që sipërmarrësit gjermanë kanë bërë mbi 9 miliardë dollarë investime direkte në Turqi që prej vitit 2003 e këtej, si dhe që vëllimi tregtar ka shënuar një rritje më shumë se 13 për qind në 7 muajt e fundit, demonstron haptazi potencialin e madh të marrëdhënieve tregtare ndërmjet dy vendeve.

“Ne duam nga miqtë tanë gjermanë që të vazhdojnë t’i besojnë ekonomisë turke dhe të ardhmes së vendit tonë”, përfundoi kreu i shtetit turk.

Burimi: Trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne