Erdogan i kujton Francës gjenocidet në Algjeri dhe Ruandë: S’mund t’i jepni leksione Turqisë

Gjatë një fjalimi në Simpoziumin e Arkivit të Shtetit në Ankara, Erdogani theksoi se po të gërmohen të gjitha masakrat, gjenocidet, torturat dhe trajtimet çnjerëzore, do të shihen ata që sot bëjnë zhurmë karshi Turqisë për “gjenocid, demokraci dhe liri”.

“Është ashiqare se kush janë vrasësit e 800 mijë njerëzve në gjenocidin në Ruandë 25 vite më parë, autorët janë francezët. Tani francezët ngrihen dhe na japin neve leksione. Çfarë leksioni jepni ju? Ne i dimë shumë mirë masakrat që ju keni bërë në Algjeri dhe Ruandë”, u shpreh kreu i shtetit turk.

Ai tha se të gjitha ata që përpiqen t’i japin Turqinë leksione për të drejtat e njeriut dhe demokracinë duke përdorur çështjen armene dhe luftën kundër terrorizmit, kanë një të kaluar gjakatare.

Erdogani rikujtoi gjithashtu se asnjë grup dhe shtet, të cilët kanë rrëmuar çështjen armene deri më sot, nuk i kanë provuar dot pretendimet e tyre me dokumente arkivore.

“Dyert e arkivave tona janë të hapura deri në fund për të gjithë ata që synojnë të zbulojnë realitetin. Ne s’kemi sekrete. Armenët, nëse kanë, le t’i hapin arkivat e tyre; e gjithë bota dhe vendet e treta, nëse kanë, t’i hapin arkivat. Ne e dimë që asnjë prej atyre, të cilët trazojnë ujërat me pretendimet për gjenocid mbi armenët, nuk ka për qëllim të zbulojë të vërtetën”, nënvizoi presidenti turk mes të tjerash./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne