Erdogan: ‘Kemi përshpejtuar punimet për prodhimin e avionit luftarak vendor’

Presidenti dhe njëherësh Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) mbajti një fjalim në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë.

“Shkalla e prodhimit vendor në industrinë e mbrojtjes gjatë qeverisjes sonë është rritur nga 20 për qind në 70 për qind; po ashtu edhe ekonominë e kemi çuar në mënyrë të jashtëzakonshme përpara. Ne jemi sot ekonomia e 13-të më e madhe në botë”,- u shpreh Erdoan në fjalën e tij.

Erdoani tha gjithashtu se ata e kishin prishur lojën që ishte luajtur vitin e kaluar kundër Turqisë me anë të kursit të këmbimit valutor, normat e interesit dhe inflacionin.

Kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) nuk i shitën Turqisë sistemin e mbrojtjes ajrore [Patriot], atëherë Turqia e përballoi këtë nevojë nga Rusia,- e vijoi fjalën e tij Presidenti Erdoan dhe bëri këtë vlerësim:

“Ata [amerikanët] nuk na i dorëzuan avionët tanë luftarakë F-35, ku vendi ynë është pjesë e projektit [të prodhimit të avionëve]. Edhe ne kemi përshpejtuar prodhimin e aeroplanit tonë luftarak. Ndërkohë kemi filluar të shqyrtojmë edhe avionët e tjerë alternativë. Çdo gjë e ka një alternativë. Kur nuk ia dolën dot të na shtrëngojnë me këtë, ata hapën edhe një herë llogaritë shekullore. Këta nuk dinë të luftojnë burrërisht. Çdo ditë dalin dhe kërcënojnë vendin tonë. Në parlamentet e tyre marrin vendime që nuk kanë asnjë vlerë. Ngandonjëherë shkruajnë edhe letra. Po a tërhiqet Turqia përballë një sfide të tillë? Nëse nuk e shkruani emrin e PKK/YPG-së si një organizatë terroriste në raportet tuaja, atëherë mos vallë shfajësohen këto organizata që i kanë lyer duart me gjak?

Erdoani reagoi përsëri për ndihmat me armë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë dërguar në Siri për organizatën terroriste separatiste YPG/PKK.

“Rreth 32.000 mauna të ngarkuara me armë dhe municione kanë hyrë [në Siri] nga Iraku. Ne e paralajmëruam shumë herë ShBA-në për këtë, por ata nuk bënë zë. Përballë suksesit të jashtëzakonshëm të fituar kundër DAESH-it askush nuk qëndroi sinqerisht pranë nesh. Pasi këta veprojnë së bashku me DAESH-in. Pastaj ne e pastruam zonën nga PKK/YPG-ja me operacionin «Dega e Ullirit». Por megjithëkëtë përpjekjet e tyre për ta shtrënguar në qoshe vendin tonë vazhduan pa ndërprerje. Qëllimi i tyre ishte të bindnin Turqinë për korridorin terrorist. Në mënyrë të nënkuptuar ne jemi përballur me një embargo. Por ne i kapërcyem këto pengesa një e nga një, herë duke i prodhuar vet e herë duke i blerë nga një vend tjetër”,- tha Erdoan./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne