Bota

Erdogan: S’ka kthim nga blerja e raketave S-400, kjo punë ka marrë fund

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi mbrëmjen e së mërkurës se nuk do të ketë kthim prapa në lidhje me blerjen e sistemit të mbrojtjes raketore “S-400” nga Rusia.

“Ne ramë dakord me rusët dhe do të bëjmë prodhim të përbashkët. Pas raketave S-400, ndoshta do të punojmë edhe për raketat S-500”, tha ai duke vlerësuar zhvillimet kryesore në rend të ditës për një kanal televiziv privat.

I pyetur rreth presionit të disa qarqeve të caktuara mbi Turqinë për çështjen e sistemit të mbrojtjes raketore “S-400”, Erdogani potencoi se kjo punë ka marrë fund.

“Ne e përmbyllëm çështjen e raketave S-400; pra, kjo punë ka marrë fund. Sepse ne tashmë e kemi finalizuar këtë marrëveshje qoftë me z. Putin, qoftë me Shtetin e Federatës Ruse. Diskutuam gjithçka duke filluar që nga kushtet e huas deri te prodhimi i përbashkët, ramë dakord dhe hodhëm firmat. Tani as që mund të bëhet fjalë për një kthim pas nga ana jonë. Pasi neve nuk mund të bëjmë një pandershmëri të tillë, s’na ka hije një diçka e tillë. Kjo nuk është morale”, theksoi presidenti turk duke sinjalizuar se me rusët mund të nisin së bashku edhe prodhimin e raketave “S-400”.

“Pas raketave S-400, ndoshta do të punojmë edhe për raketat S-500. Ata që përpiqen të na imponojnë për raketat S-400, përse nuk bëjnë të njëjtën gjë me Greqinë (që ka blerë raketa S-300)? Përse nuk bëjnë presion mbi Bullgarinë, Sllovakinë? Edhe këto janë njëkohësisht anëtare të NATO-s, atëherë impononi edhe këto shtete! Përse nuk e bëni? Bëjeni, t’ju shohim”, shtoi ai në formën e pyetjeve retorike.

Erdogani rikujtoi gjithashtu se sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka thënë në lidhje me raketat “S-400” që kjo është e drejta më e natyrshme e partnerëve të Aleancës dhe që nuk mund të ndërhyjnë apo të përzihen në këtë çështje.

“Ne e bëmë marrëveshjen tonë nën kushte shumë, shumë të volitshme. Madje ata (rusët) e afruan për ne datën e dërgimit të raketave deri në korrik. Me lejen e Allahut, ne do të marrim partinë e parë (të raketave S-400) në muajin korrik”, u shpreh lideri turk me s të tjerash./ trt

OPINIONE