Erdogan: Turqia nuk do t’i dorëzohet terrorizmit ekonomik

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njëherësh kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, deklaroi të dielën se vendi i tij, i cili s’i është dorëzuar terrorizmit të armatosur dhe atij diplomatik, nuk do t’i dorëzohet as terrorizmit ekonomik.

Ai mbajti një fjalim në programin e mbylljes së Mbledhjes 28. Konsultative dhe Vlerësuese të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në pushtet, zhvilluar në Kizilcahamam të Ankarasë, ku u ndal sidomos mbi ekonominë turke dhe spekulimet rreth saj.

Duke vlerësuar zhvillimet e fundit ekonomike në vend, kreu i shtetit turk tha: “Sulmet që bëhen muajt e fundit ndaj ekonomisë sonë janë të njëjta me raketat, bombat, plumbat që hidheshin në drejtim të kufijve tanë. Ne morëm masat tona menjëherë dhe e parandaluam pa e vërejtur askush. Ashtu siç nuk iu dorëzuam terrorizmit të armatosur dhe diplomatik, s’iu dorëzuam dhe nuk do t’i dorëzohemi as terrorizmit ekonomik.”

Erdogani theksoi më tej se ekonomia e vendit ka vazhduar të stabilizohet në tremujorin e parë të këtij viti.

“Po të shohim treguesit, vërejmë se të gjitha të dhënat po tregojnë një trend pozitiv të rritjes”, u shpreh Erdogani duke shtuar se ato çfarë thonë shtetet e huaja apo institucionet financiare në këto shtete nuk kanë asnjë vlerë.

Sikurse në çdo fushë – vijoi ai – Turqia është edhe në ekonomi një vend i atillë që ngjan me një ajsberg, pjesa e padukshme e të cilit është shumë më e madhe sesa ajo e dukshme.

Erdogani tha gjithashtu se në 4 vitet e ardhshme Turqia do të kalojë një periudhë pa zgjedhje, gjatë cilës qeveria është e vendosur të zbatojë një për një transformimet strukturore të planifikuara.

“Nëse ne të gjithë së bashku besojmë dhe punojmë në drejtim të synimeve tona, në vitin 2023 mund të shkojmë përtej parashikimeve”, tha Erdogani duke u prononcuar për vizionin e AK Partisë për 2023-shin, që përkon me 100-vjetorin e themelimit të Republikës së Turqisë.

“As sulmet ekonomiko-politike nga jashtë dhe as farat e trazirave që kërkohen të mbillen nga brenda vendit nuk do të na shkëpusë neve nga agjenda jonë e vërtetë”, potencoi presidenti turk./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne