Ethet e arit: Pse bankat qendrore po e blejnë me një ritëm rekord?

Sipas të dhënave nga Këshilli Botëror i Arit në tre muajt e fundit bankat qendrore në mbarë botën kanë blerë më shumë se 148 tonë metrikë ari, i vlerësuar me 5.8 mld dollarë, 22% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Banka e Rusisë ishte ajo që bleu më shumë: 92 tonë ar. Duke marrë parasysh 106 tonët e blerë në gjysmën e parë të vitit, rezervat e arit të Rusisë tejkaluan 2,036 tonë, vlera e të cilave në treg  është rreth 78 mld dollarë, shkruan DITA.

Blerësit më aktivë në muajt e fundit kanë qenë Turqia dhe Kina, vende, marrëdhëniet e të cilave me Shtetet e Bashkuara janë përkeqësuar në mënyrë dramatike gjatë muajve të fundit.

Ato ndiqen nga Kazakistani me 13.4 tonë dhe India me 13.7 tonë.

Në Europë, bankat kombëtare të Polonisë dhe Hungarisë gjithashtu rritën blerjet e arit.

WGC, një shoqatë jofitimprurëse e prodhuesve kryesorë të arit në botë është shprehur se blerja e arit është një mënyrë e mirë për të rritur stabilitetin afatgjatë të rezervave. Ari konsiderohet shpesh si një mbrojtje ndaj çdo rënie vlere të dollarit amerikan.

Sipas ekspertëve, situata ekonomike shpjegojnë tendencat e fundit. Bota po i afrohet një epoke të re paqëndrueshmërie, perspektiva e një krize globale po bëhet gjithnjë e më reale, dhe pothuajse të gjithë specialistët janë të bindur se ekonomia amerikane dhe dollari do të jenë më të prekurit nga kataklizma e afërt.

Gjatë muajit tetor, ekonomist Ulf Lindahl, drejtor i AG Bisset Associates, kompani e specializuar në hulumtimin e tregut të valutave, tha se dollari ishte në prag të kolapsit dhe se në pesë vitet e ardhshme do të zhvlerësohet kundrejt euros me 40%, sipas Bloomberg (lexo KETU).

Aktualisht, investimet në asete amerikane, sipas ekspertëve të shumtë, shoqërohen nga rreziqe të shumta. Në radhë të parë, ka të bëjë me luftën tregtare të nisur nga Uashingtoni.

Faktori i dytë më i rëndësishëm i rrezikut konsiderohet politika e Rezervës Federale të SHBA. Sipas investitorëve, shuma e parave në dispozicion për të investuar do të ulet ndjeshëm, dhe rendimenti i bonove të thesarit do të rritet, kështu që fondet e tregut të aksioneve do të fillojnë të  rrjedhin drejt obligacioneve federale.

Përveç kësaj, kostoja e kredive për kompanitë do të rritet, kështu që fondet do të shpenzohen gjithnjë e më shumë për shlyerjen e borxhit dhe më pak për zhvillim. Si rezultat, aktiviteti i shitësve në bursat amerikane do të rritet dhe blerësit do të dobësohen, gjë që do të shkaktojë një rënie të shpejtë të çmimeve.

Tre rreziqet kryesore për investitorët amerikanë gjithashtu përfshijnë mundësinë e ngadalësimit ekonomik të Kinës për shkak të kombinimit të dy faktorëve: luftës tregtare me Uashingtonin dhe një borxhi të brendshëm të madh, që llogaritet në 7 trilionë dollarë.

Në fund të korrikut, Kina pati pothuajse 1.2 trilionë obligacione qeveritare amerikane. Duke lëshuar këto letra në treg, Pekini do ta dënojë ekonominë amerikane në një krizë financiare të pashembullt.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne