Ekonomi Shqiperia

Euro, tjetër rritje të fortë në tregun vendas. Ja me sa është forcuar që kur nisi ‘shtetrrethimi’

Euro ka shënuar një tjetër rritje të fortë dje në tregun vendas, duke u këmbyer me 125.4 lekë, ose 0.93 lekë më shumë sesa një ditë më parë, duke qenë sërish në nivelet më të lartë të një viti (shkurtit 2019).

Dollari amerikan shënoi një rënie të lehtë dje me 0.05 lekë, pas rritjes së disa ditëve radhazi, duke zbritur në 114.77 lekë. Paundi britanik vijoi rritjen, duke iu afruar 137 lekëve.

Në raport me 11 marsin, kur filloi dhe kufizimi i aktivitetit ekonomik dhe lëvizjeve, më synim frenimin e përhapjes së koronavirusit, euro është forcuar me 2.6 lekë.

Aktorët e tregut valutor pohojnë se për momentin ka kërkesë vetëm nga tregtuesit e produkteve ushqimore, lidhur edhe me faktin që në bazë të një vendimi të fundit të qeverisë importuesit me shumicë të produkteve ushqimore dhe barnave duhet të krijojnë rezerva për tre muaj.

Ndërkohë që tregu normal është i zhbalancuar, pasi volumet e tregtimit kanë rënë ndjeshëm.

Për më tepër, ekspertët shtojnë se leku ka qenë prej disa vitesh i mbivlerësuar, përtej faktorëve normal, pasi që prej mesit të vitit 2016, kur këmbehej në rreth 135 lekë, ai filloi një tendencë të pazakontë mbiçmimi si rrjedhojë e flukseve të valutës që hynë nga tregtia informale, duke zbritur afër nivele minimale historike në mesin e vitit të kaluar (120.83 lekë).

Tashmë që për momentin, këto burime duket se janë kufizuar për shkak të bllokimit të pothuajse të gjitha aktiviteteve, duke tentuar një ekuilibër të ri. /Monitor

OPINIONE

INTERVISTA