Eurostat/ Inflacioni në Shqipëri mbi mesataren e BE-së, në Janar 2024 çmimet u rritën me 4%

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit për muajin Janar të vitit 2024 në Shqipëri,  fiksohet në 3.8%. Ky indeks tregon  ndryshimin e nivelit mesatar të çmimeve të paguara për konsumin e mallrave dhe shërbimeve. Sipas Eurostat ky tregues makroekonomik fiksohet në 4%.

Ndonëse në të dyja rastet inflacioni përllogaritet nga i njëjti institucion, kjo diferencë në matje vjen për shkak të peshës që i jepet secilit grup në normën e inflacionit, si dhe te numri i produkteve dhe shërbimeve që merren në analizë. Këto ndryshime në pesha janë të theksuara sidomos sa i përket transportit dhe grupit të “qira, ujë, lëndë djegëse, energji”.

Në muajin Janar 2024, ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 3.8 % dhe  rritja më e madhe e çmimeve, vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 6% , pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 5.8 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 4.3 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4.2 %, “Shërbimi arsimor” me 4.1 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3.7 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3.4 %, “Veshje dhe këpucë” me 2.7 %, “Shëndeti” me 2.0 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.9 % dhe  “Komunikimi” me 0.3 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 2,7 %./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne