Exit Poll: 5 Yjet, forcë e parë në Itali

Zgjedhjet e vitit 2018 në Itali kanë dy fitues. Lëvizjen e 5 yjeve, që bëhet partia e parë me 32 përqind të votave dhe Lega Nord e Mateo Salvinit, e cila siguron lidershipin e qendrës së djathtë. Koalicioni i Silvio Berluskonit është ai që grumbulloi më shumë vota, por jo aq sa nevojiten për shumicën.

Rezultati pritet të qartësohet të hënën. Nuk kanë qenë të pakta parregullsitë gjatë procesit, për shkak edhe të rregullave të reja tepër të komplikuara. Krerët e qendrave të votimit kishin rolin kyç, të marrjes në dorëzim të çdo fletëve pas përzgjedhjes sekrete që bënte votuesi, verifikimin e numrit serial që synonte shmangien e ndikimeve nga palë të treta, kryesisht nga klanet mafioze e deri hedhjen e tyre në kuti.

Procedurat e komplikuara kanë ngatërruar vetë drejtuesit e qendrave të votimit, të cilët në shumë raste i kanë bërë të pavlefshme votat. Ato kanë shkaktuar edhe radhë të gjata pritjeje. Krijimi i qeverisë mund të kërkojë disa javë negociata e nuk përjashtohet mundësia e mbajtjes se zgjedhjeve të reja për të prodhuar rezultate më bindëse.

“Çdo gjë do të ndryshojë”, është titulli i të përditshmes Il Fatto Quotidiano. Edhe pse asnjë parti nuk do të jetë në gjendje të qeverisë, sipas të dhënave paraprake, fuqizimi i populistëve, të tillë si Lëvizja e Pesë Yjeve, është krahasuar me Brexit-in dhe fitoren e Donald Trump në SHBA. Partia që u themelua në vitin 2009 nga Bepe Grilo, ka shënuar fitore të rëndësishme dhe me 216 deri në 236 vende në Dhomën e Ulët mund të bëhet partia më e madhe.

Zemërimi publik për papunësinë edhe emigracionin fundosi Partinë Demokratike në pushtet. Koalicioni i qendrës së majtë ku bën pjesë partia, rezulton i treti me 107 deri ne 127 vende në Parlament.

Edhe sa i përket Senatit, të favorizuar janë populistët dhe Partitë e së djathtës. Lëvizja e 5 yjeve pati një rezultat më të kënaqshëm nga ç’pritej me të dhënat paraprake që sugjerojnë se do të sigurojë deri në 112 vende në Senat. Koalicioni i qendrës së djathtë parashikohet të marrë nga 118 deri në 150 vende në Dhomën e Lartë ndërsa Partia Demokratike nga 42 deri në 54 vende.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne