Fahrettin Altun: Opinioni publik turk i zemëruar me SHBA-në për FETO-n

Fahrettin Altun u prononcua për kanalin televiziv “Bloomberg” përpara vizitës që Presidenti Recep Tayyip Erdogan do të realizojë në SHBA, në përgjigje të ftesës së homologut amerikan, Donald Trump.

Ai theksoi se SHBA-ja nuk po mban një qëndrim në favor të Turqisë që prej tentativës puçiste të FETO-s më 15 Korrik 2016 e këtej.

“Opinioni publik turk është i zemëruar me SHBA-në për këtë çështje dhe këtë mund ta ndjeni nëse flisni me njerëzit në rrugët e Turqisë”, u shpreh Altun.

Duke tërhequr vëmendje se në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve ka shumë çështje që kërkojnë zgjidhje, kreu i Departamentit të Komunikimeve të Presidencës së Turqisë vuri në pah se dy liderët duhet të bëjnë vlerësime dhe konstatime gjithëpërfshirëse lidhur me këto çështje.

I pyetur rreth sistemeve të mbrojtjes ajrore që Turqia ka blerë nga Rusia, Altun tha: “Ne e kemi shprehur shumë herë mendimin tonë për këtë çështje. SHBA-së i kemi thënë se Turqisë i nevojitej urgjentisht një sistem i mbrojtjes ajrore/raketore dhe i kemi ofruar çdo zgjidhje potenciale për të shmangur vështirësitë që kjo çështje mund të shkaktonte në marrëdhëniet bilaterale.”

Ndërsa lidhur me memorandumin e arritur me SHBA-në në Siri dhe ato se çfarë pret Turqia pas apo në kuadër të këtij memorandumi, Altun potencoi se që të dyja marrëveshjet – si me SHBA-në ashtu edhe me Rusinë – janë të rëndësishme në aspektin e arritjes së objektivit të Turqisë për të spastruar terrorin nga rajoni.

Megjithatë – vijoi ai – organizata terroriste separatiste PKK/YPG e vazhdon aktivitetin e saj në rajon; prandaj Turqia s’do të ngurojë për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve dhe provokimeve që mund të vijnë nga kjo organizatë.

Altun u ndal po ashtu mbi mesazhet e Presidentit Trump mbi mbrojtjen e fushave të naftës në Siri.

“Vendimi i SHBA-së për të mbrojtur fushat e naftës dhe për t’ia transferuar të ardhurat e naftës YPG-së rrezikon stabilitetin afatgjatë dhe bashkëjetesën e grupeve të ndryshme etnike dhe fetare në këtë rajon. Detajet e kësaj çështjeje do të diskutohen nga presidentët e Turqisë dhe SHBA-së”, përfundoi ai./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne