Faleminderit Hollandë

nga Erjus Mezini

Që ta dish ti Hollandë, për tridhjetë vjet rresht, qysh kur isha fëmijë dhe gjersa u bëra mesoburrë, mua më edukuan me bindjen se arritja më e madhe e njeriut në jetë paska qenë një pasaportë evropiane që do i lejonte të zhdukej njëherë e mirë nga Shqipëria. Ti sot Hollandë mua ma mohove këtë pasaportë.

Që ta dish ti Hollandë, kjo nuk ishte vetëm bindja ime, ishte edhe bindja e udhëheqësve të mi. Edhe ministri im Tahiri, përpara se me shaka të burgosej, deklaroi se burgu shqiptar e trembte më pak se konfiskimi i pasaportës me të cilën do mund të udhëtonte jashtë vendit. Përse o Hollandë nuk na lë edhe ne të tjerëve që të ikim dhe të zhdukemi jashtë vendit?

Që ta dish ti Hollandë, mua gjithë jetën më ushqyen me besimin se çdo lajm i mirë Shqipërisë duhet t’i vijë vetëm nga jashtë (dhe çdo lajm i keq vetëm nga brenda). Ti Hollandë nuk po më sjell asnjë lajm të mirë sot.

Që ta marrësh vesh Hollandë, mua më edukuan me parimin se po nuk e lëvizi gishtin bota, vetë nuk duhet të bëj asgjë. Shikoja fqinjin që arratisej përgjithmonë dhe i thosha se po bënte shumë mirë. Shikoja kosovarin që vritej dhe i lutesha botës “aman, shpëtoje ti vëllain tim!”. Shikoja tetovarin sesi diskriminohej dhe sytë sërish i çoja nga bota.

Që ta dish ti Hollandë, mua më mësuan që t’i lëpihem dhe t’i bindem botës si qeni, se me punën time nuk supozohej që të arrija diçka në jetë. Pranova trenat me pesticide të skaduara gjermane në Durrës, ngrita kampe muxhahedinësh në Dajt (miqtë e dikurshëm të Amerikës), importova mbetjet urbane të Italisë, iu luta Berluskonit që tecet e plehrave si edhe vetë çentralin bërthamor t’i ndërtonte mbi kokat e fierakëve, i ktheva Korçën dhe Pogradecin në kampe të mëdha refugjatësh sepse bota më porositi që të mos luftoj me serbin (edhe nëse nuk më porosiste ashtu, unë isha mësuar që përveç lutjes dhe lëpirjes të mos bëja asgjë vetë), u hapa rrugën armëve kimike të Asadit, me porosi të Amerikës dhe Francës pranova tre mijë muxhahedinë iranianë. Jam gati të përmbush edhe çdo porosi tjetër të botës, por ti Hollandë po më thua tani se nuk i kam llogaritur gjërat si duhet.

Mua Hollandë më mësuan që për çdo gjë që ndodh në vendim tim të konsultohem fillimisht me ambasadorin amerikan (pastaj me qytetarët e tjerë). Ti Hollandë po më thua tani se duhet të kisha pyetur edhe ambasadorin hollandez për fatin e vendit tim.

Mua Hollandë më ushqyen me bindjen se shtetet duhet të qeverisen nga grykës me veshje të shtrenjta dhe bark të madh si kacek. Ti Hollandë po na e nxjerr sikur shteti nuk u bënka me të tillë njerëz.

Mua Hollandë më mësuan që të votoj politikanë të cilët më premtojnë syrgjynosjen pa dokumenta dhe pa vonesa në Evropë. Ti Hollandë po më këshillon që të mos votoj të tillë.

Mua Hollandë më mësuan që ryshfetin ta konsideroj mundësi dhe jo pengesë. Dhashë pesë mijë dollarë që të behem pedagog, pagova tre mijë euro që të fusja motrën në administratë, dhashë dy mijë euro që të më vishej vëllai polic, dhashë katër mijë euro që të më pranohej vajza e madhe në Fakultetin e Mjekësisë dhe pesëqind dollarë që të merrte djali i vogël maturën. Ti Hollandë po deklaron se nuk ecet përpara me kësi marifetesh.

Mua Hollandë më mësuan që të jem i bindur dhe kurrsesi të mos u hap telashe atyre që kam mbi kokë. Gjykatësi më kërkoi para dhe unë Hollandë futa dorën në xhep. Ministri im merrej me drogë dhe unë Hollandë bëra sikur nuk e vura re. Kryeministri im tha se do e mbushte Shqipërinë me gjithë skrapin radioaktiv të Italisë dhe unë Hollandë heshta në vend se të protestoja. Në orën që kryebashkiaku im vret hapësirat dhe godinat publike (për një grusht dollarë), unë Hollandë rri duke parë Champions League. Kur presidenti im bën afera të pista përpara kamerave, unë Hollandë ndërroj stacionin për të ndjekur festivalin e San Remos. Kur drejtori i futi gruas sime duart, unë Hollandë i bleva gruas një fustan të gjatë me copë të trashë, ngaqë nuk dua telashe as me drejtorin e gruas dhe as me shtetin që ai përfaqëson.

Mua Hollandë më mësuan gjithë jetën të hesht dhe të lëpij sahanët e vendit dhe të botës. Ti Hollandë po thua tani se lëpirjet mua nuk kanë për të më shpëtuar.

Mua Hollandë më mësuan që t’ia mbath diku tjetër sa herë që në vendin tim gjërat përkeqësohen. Ti Hollandë më ke zënë rrugën.

Mua Hollandë shpeshherë më lind dëshira që pa dokumenta dhe pa vonesa të ik dhe të zhdukem nga këtu, kurse ti po më ndëshkon të ngecem në këtë vend dhe gjer në fund të luftoj për pak drejtësi.

*Më 21 qershor të 2018ës parlamenti hollandez vendosi bllokimin e negociatave të pranimit të Shqipërisë në BE. I njëjti vendim është marrë nga parlamenti hollandez edhe në vitin 2013 (pra bëhet fjalë për pesë vjet më parë). Nuk përjashtohet mundësia që Hollanda të ushtrojë të drejtën e vetos në Këshillin e Ministrave të BE edhe në vitet që do të vijnë, në mënyrë që të mos hapen negociatat për integrimin e Shqipërisë në komunitetin evropian.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne