Fasada e Arenës Kombëtare ashtu si e kërkoi Kryeministri Rama, pa basorelieve

Falë kujdesit të Kryeministrit, përfundimisht, hyrja e Stadiumit Kombëtar do të jetë pa dy skulpturat sportive që ishin vendosur në periudhën e komunizmit. Heqja e tyre u paralajmërua që 3 vite më parë nga Kryeministri Rama, i cili asokohe këmbënguli se “do ta rikthente në identitet, siç e kishte ideuar arkitekti italian Gherardo Bosio” pa “dy shëmtirat komuniste”.

Arben Dervishaj, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit, postoi mbrëmjen e së enjtes foto të hyrjes së stadiumit. Në postimin e tij, ai mbishkruajti:

Shkallët për tribunë. Të njëjtat si 80 (vite) më parë. Memorja historike është ruajtur dhe restauruar.

Foto e dikurshme e hyrjes së Stadiumit Kombëtar.

Restaurimi që përmend Zoti Dervishi është bërë sipas shijes së Kryeministrit. Dy skulpturat, apo siç njihen ndryshe, basorelieve, ishin pjesë e fasadës që mbante status monument kulture. Ato u hoqën pasi vendosi vetë Zoti Rama. Në një koment në Facebook, ai tha se:

Ato basorelieve që turpëronin edhe realizmin socialist, e kanë kryer misionin e tyre të shëmtimit e nuk hyjnë askund si vlerë e trashëgimisë kulturore.

Mënyra si u vendos për çështje të historisë dhe trashëgimisë bëri që ish-Drejtori i Muzeut Kombëtar, Moikom Zeqo të shprehej:

[…] mirë do të ishte (që basorelievet) të ruheshin dhe të viheshin tek i riu. Nuk e kuptoj pse nuk do vihen edhe ata. Sa i takon deklaratës (së Kryeministrit), po ju them se ato nuk janë të shëmtuara dhe pasqyrojnë një kohë të caktuar dhe pikërisht për këtë ia vlen të ruhen. Po të ishte për të shkatërruar veprat e realizmit socialist, le të shkatërrohen edhe ato që ruhen në Galerinë Kombëtare të Arteve bashkë me fasadën e Kryeministrisë.

Momente nga heqja e dy basorelieveve nga hyrja e Stadiumit Kombetar.

Dy basorelievet paraqisnin dy futbollistë dhe tre vajza basketbolliste. Ideja e këtyre paraqitjeve ishte për të nënkuptuar aspektin shumësportësh që Stadiumi Kombëtar organizonte: futboll dhe disiplina olimpike si atletikë, hedhje shtize, disku, çekiçi etj.

Stadiumi i ri Kombëtar nuk është më shumësportësh dhe do të përdoret vetëm për futboll, aktivitete tregtare apo dhe kulturore. Në këtë këndvështrim skulpturat do ta rikthenin në vëmendje tjetërsimin e bërë dërkohë që kostoja e projektit dhe ndarja përfundimtare e pronësisë nuk janë bërë me dije./ exit.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne