Ferit Pashë Vlora – i fundmit vezir i madh shqiptar i Perandorisë Osmane

Abdulhamit Kırmızı, Ferid Pashë Vlora-një jetë shtet, (përktheu: Rubin Hoxha), “Logos-A”, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2018, f. 542

Shkruan: Nuridin AHMETI, Prishtinë

Është bërë traditë e Shtëpisë Botuese “Logos-A” që, për çdo vit kalendarik, të na sjellë literaturë me vlera të mirëfillta dhe cilësore, si nga ana përmbajtjesore, ashtu edhe nga përgatitja teknike dhe, sidomos, të na begatojë me tituj të ri, që kjo e fundit, mbase është edhe synimi kryesor i kësaj shtëpie botuese, tashmë të dëshmuar. Në këtë kuptim, në mesin e titujve të rinj, me të cilët “Logos-A” i ka pasuruar bibliotekat tona në këtë vit kalendarik, pra 2018, është edhe libri i autorit Abdulhamit Kërmëzë me titull: “Ferid Pashë Vlora-një jetë shtet”.

Në të vërtetë, ky libër, pavarësisht se është botim i ri i “Logos-A”, mbase nuk do të merrte vëmendjen e duhur, në qoftë se ai nuk do të ishte i rëndësishëm dhe me domethënie të veçantë për lexuesin shqiptar. Është i rëndësishëm dhe i veçantë për ne, sepse për subjekt trajton një nga pinjollët e shquar të derës së madhe të fisme të Vlorajve, i cili u bë një nga figurat më të rëndësishme deri në sadriazem të Perandorisë Osmane në kohën e sulltan Abdylhamitit II, por i cili asnjëherë nuk e harroi prejardhjen dhe atdheun e tij “Unë e them me krenari se jam shqiptarë dhe askush nuk dyshon në besnikërinë time. Me krenari e them se është kështu (f. 466)” – do të shprehej, mes tjerash, Ferit Pashë Vlora në një interpelancë më 1909 si ministër i Punëve të Brendshme, të ftuar nga deputetët shqiptarë të Parlamentit Osman në Stamboll. Por, bindjet e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, siç e ve në dukje edhe autori Abdulhamit Kërmëzë, do t’i shpreh në disa takime, që ky do të këtë me diplomatë të huaj të akredituar në Stamboll, me shkrimtarët dhe funksionarë të Perandorisë Osmane. “Ferit Pasha tha se ishte shqiptarë (f. 13)” – tregon, ë mes tjerash poeti, filologu dhe shkrimtari irlandez Allen Epward, gjatë një takimi më 1908 më Ferit Pashën. “Shqiptarët – i thoshte Ferit Pasha Sigmun Műnzit në Stamboll – janë të vjetër sa gjysmëhëna, e ndoshta edhe më shumë, e nuk lejojnë njeri të tallet me ta” (f. 478). “I nderuari ambasador! Çfarë prisni akoma? Shqipëria po ikën para syve. Mos vallë do t’ia lini këtë vend serbëve, italianëve apo grekëve? Pse e ka harruar perandoria juaj rolin e saj në Ballkan. Një Shqipëri e madhe me siguri do të jetë faktor paqeje në Ballkan…(491)” – i thoshte Ferit Pasha ambasadorit austro-hungarez në Stamboll. Por, që në fund, edhe pse kishte mundësi të merrte poste deri në udhëheqjeje në Qeverinë e Vlorës, Ferit Pasha zgjodhi të mbetej një qytetar osman dhe të mos punojë në Shqipëri.

“Zgjedhja e sadriazemit nga ana e tij, pra nga ana e sulltan Abdyl Hamitit, pasqyroi gjithashtu politikën e vazhdueshme për t’i bërë shqiptarët një shtyllë të sundimit të tij në Gadishull. Mehmet Ferit pasha ngjallte besimin e duhur” (George Gawrych, Gjysmëhëna dhe shqiponja-sundimi Otoman, Islamizimi dhe shqiptarët 1874-1913, (Përktheu: Aurel Manushi), Bota Shqiptare, Tiranë, 2007, f. 201). Kështu, do të shprehej, njëri nga njohësit më të mirë të historisë së nacionalizimit te shqiptarët, studiues i së kaluarës së Lindjes së Mesme, George Gawrych, një njërin nga studimet e tij, të botuar edhe në gjuhë shqipe.

Por, për studiuesen tjetër të nacionalizimit shqiptar, Nathali Calyer, me zbatimin e reformave të Tanzimatit nga Perandorinë Osmane, familjet bejlere shqiptare i humbën pozitat në qeverisjen lokale, por u integruan në pozita perandorake. Njëri nga këta personalitete ishte “Ferit Pasha, njëri prej anëtarëve të familjes Vlora, do të bëhej vezir i madh…” – shkruan, mes tjerash, Nathalie Clayer. (Nathali Clayer, Në fillet e nacionalizimit shqiptar – Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë, (Përktheu: Artan Puto), Përpjekja, Tiranë,2009, f. 100).

 Po kush është me pak fjalë Ferit Pashë Vlora?

 Ferit Pashë Vlora, është i lindur në familjen e njohur të Vlorajve. Është i biri i Mustafa Pashës dhe njëri ndër vëllezërit e Syreja bej Vlorës. Origjina e tij lidhet me Ali Pashë Tepelenën nga vija e babit dhe Arsllanpashajve të Libohvës nga vija e nënës. Ishte burrështetas, që u shkollua në njërën nga shkollat e njohura në Greqi (f. 41-42). U bë njohës i mirë i disa gjuhëve lindore dhe perëndimore. Periudha me të cilën jetoi ky njëri, ngjitja deri te majat e udhëheqjes së Perandorisë Osmane, pra vitet kur kjo figurë u ngjit në pozita të Vezirit të Madh, ishte nga periudhat më delikate, e pse jo edhe më të rënda për Perandorinë dhe, rrjedhimisht, edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Origjina familjare e gjeografike, përgatitjet intelektuale (“identitetet historike dhe shoqërore”, f. 27), sukseset në pozitat që shërbeu në shumë vende të Perandorisë Osmane (Kretë, Bosnje, Bullgari, Dijarbekir, Konja, Halep, Stamboll etj, f. 43-73, 109) etj., bënë që interesimi për t’u marrë me studimin e kësaj figure të jetë edhe më i shtuar. Por, njëkohësisht këto parametra ishin edhe përcaktuese, që ky të ngjitej në majat e Perandorisë Osmane në fillim të shekullit. XX. Një burrështetas si Ferit Pashë Vlora, që po i qëndronte Sulltan Abdul Hamitit II në krah nga viti 1903 deri në vitit 1908, pra në një periudhë ku ishin shtuar përpjekjet luftarake, diplomatike të fuqive të mëdha me Perandorinë Osmane dhe anasjelltas, ishte në të vërtetë njeriu që i kishte besuar Sulltani të jetë afër tij. Posaçërisht, për Ballkanin dhe ngjarjet që ndodhin në këtë periudhë: “shumë ndodhi që zënë vend të rëndësishëm në historinë e nacionaliste të vendeve të Ballkanit, që janë gdhendur në kujtesën e tyre gjithnjë e më të kombëtarizuara dhe që edhe sot e kësaj dite përkujtohen me ceremoni, do të ndodhin pikërisht gjatë detyrës se Ferit Pashë Vlorës” (f. 265)” – shkruan autori Kërmëzë. Ferit Pasha ishte njëri nga kontribuuesit “në procesin e pavarësimit të Shqipërisë (f. 489)”.

Ai ishte një personalitet që u munda të mbante lidhje me Austro-Hungarinë dhe kishte admirim për politikat e saja në raport me Perandorinë Osmane (f. 255) dhe shqiptarët. Kjo shihet edhe në takimet që Ferit Pasha kishte me ambasadorin austro-hungarez në Stamboll, i cili në lidhje me pavarësimin e Shqipërisë, ia shpreh Ferit Pashës edhe këtë: “Çështja e juaj është edhe e çështje e jona. Mund të keni besim tek ne. Ju këshilloj të veproni të bashkuar (f. 490)”.

Sigurisht, ardhja në pozitat më të larta udhëheqëse të Perandorisë Osmane, të njerëzve me origjinë shqiptarë, ishte edhe falë vitalitetit e fleksibilitetit që e tregonin këta. Por, në rastin e Ferit Pashë Vlorës, arritjes së tij deri në pozitën e Vezirit të Madh, autori Kërmëzë ia atribuon, përveç tjerash, edhe pozitës strategjike të vendit nga vinte ky njeri (f. 262-263). Ky numër i madh i njerëzve, me origjinë shqiptare, të integruar në administratën osmane, në mesin e të cilëve edhe Ferit Pashë Vlora, bënë që studiuesi i njohur Oliver Shmit të konstatojë se shqiptarët, së bashku më boshnjakët,”përbënin shtyllën kurrizore të sundimit osman në Ballkan, por edhe në rrafsh perandorak mbërritën një pozicion mjaft të ngritur ”(Oliver Jens Shmit, Shqiptarët – një histori midis Lindjes dhe Perëndimit (Përkthyer nga Ardian Klosi), K&B, Tiranë, 2012, f. 69).

Dhënia e disa intervistave për gazetat perëndimore, mbajtja e korrespodencave me udhëheqës nga mbretëritë e fuqishme të kohës, në disa gjuhë etj., të gjitha këto fakte të lartcekura, imponojnë që A. Kërmëzë – studiuesi me origjinë turke, i lindur në gjermani, i shkolluar në Gjermani dhe në Stamboll, i specializuar në Londër për shkenca shoqërore, njohës i gjuhës turke, osmane dhe i disa gjuhëve perëndimore, do t’i hynte një projekti të tillë për ndriçimin e jetës dhe veprës së Ferit pashë Vlorës. Sado që ishin bërë disa përpjekje për të shkruar, nga studiues të ndryshëm, për këtë figurë interesante, deri më sot nuk ka një projekt më të realizuar, më të plotë dhe më të arrirë se sa ky botim të cilin po e promovojmë sot.

Veprimtari i njohur i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Sami Frashëri, dikur kishte thënë: “Është detyrë e atyre që merren me histori, që të mos marrin gjithnjë si të vërtetë atë që shkruhet në libër pa i analizuar ngjarjet, pa i verifikuar burimet.” Për Ferit Pashë Vlorën, studiuesi Kërmëzë, për sa u përket shkrimeve dhe verifikimit të burimeve në gjuhën shqipe, nuk e ka pasur vështirë, sepse për Ferit Pashë Vlorën jo se është shkruar në gjuhën shqipe ose se ekziston literaturë e tillë, e cila do t’ia ndihmonte apo do t’ia vështirësonte punën autorit Kërmëzë. Ferit Pashë Vlora nuk përmendet fare në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të botuar më 1985 në Tiranë dhe as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar trevëllimesh, të botuar në Tiranë në vitin 2009, ndonëse ne mendojmë se do të duhej të kishte një zë të veçantë për këtë figurë të rëndësishme. Ai nuk u trajtua as në monografinë e njohur “Shqiptarët në Perandorinë Osmane”, botuar në Tiranë në vitin 1997 (Nexhip P. Aslan – Nesip Kaçi, Shqiptarët në Perandorinë Osmane, Albin, Tiranë, 1997). Kjo, heshtje për këtë njëri nga historiografia shqiptare sigurisht se ndërlidhet edhe me fatin e varrit të tij. Për më keq, as varri nuk i është ruajtur dhe nuk i dihet këtij personaliteti, që i ka tejkaluar kufijtë lokalë të vendit ku lindi dhe ku u rrit. Sipas Autorit Kërmëzë, “varri i Ferit Pashës do të merrte hisen e vet nga politika e Enver Hoxhës për zhdukjen e trashëgimisë islamo-osmane në Shqipëri, duke zhdukur bashkë me elemente të tjera të ngjashme (f. 498)”.

Mirëpo, nëse nuk ka literaturë të shkruar nga shqiptarët për Ferit Pashë Vlorën, literatura në gjuhët e huaja, pastaj burimet osmane dhe austro-hungareze janë të bollshme, të cilat me shumë kompetencë dhe akribi shkencore i ka përdorur dhe i ka shfrytëzuar autori Kërmëzë.

Prandaj, themi se libri me titull “Ferid Pashë Vlora – një jetë shtet” i autorit Abdylhamid Kërmëzë është i shkruar me një gjuhë argumentuese. Analizat e burimeve arkivore të proveniencës osmane dhe ato austro-hungareze, që lexuesi do t’i hasë në këtë monografi, janë mjaftë bindëse.

Andaj ardhja në gjuhën shqipe e kësaj vepre e ka pasuruar bibliotekën e personaliteteve shqiptare, nga e kaluara jonë në përgjithësi, e të Periudhës Osmane në veçanti. Historianët e diplomacisë do të gjejnë në të materiale të konsiderueshme, në raportet e Perandorisë Osmane më vendet e Ballkanit dhe me gjerë nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX. Pastaj studiuesit e identitet të shqiptarët do të lexojnë ato të dhënat për këtë njeri, atë që lexuesi e has edhe të studiuesit e huaj, siç është Gorge Gawrych, kur flet për disa personalitete shqiptare në Perandorinë Osmane të kësaj periudhe, për një identitet kombëtar jo edhe aq të theksueshëm sa mendojnë disa. Ndërkaq studentët dhe të interesuarit e tjerë, me leximin e kësaj vepre, do të marrin informacione të hollësishme për ngjare, aspekte sociale, arkitektonike, edukative e kulturore në Perandorinë Osmane të fund shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX, posaçërisht të vendeve ku shërbeu Ferit Pashë Vlora.

Dhe, krejt në fund, më lejoni të them se libri me titull Ferid Pashë Vlora – një jetë shtet është pa dyshim prurja më e mirë për njërin nga familjaret e njohur të Vlorajve, për njeriun që kishte dije dhe vlera të përgjithshme dhe të mirëfillta. Ose, thënë në gjuhën e njerëzve që e takuan për intervista e takime zyrtare, “Fizionominë e fuqishme rrethuar nga një mjekër e thinjur, nën strehën e vetullave të dendura, shkëlqejnë sy të gjallë, të errët e inteligjentë.” (f. 11) – Sigmund Műnz, gazetar vjenez e historian.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne