Fitimet e larta të bankave/ Rritën interesat e kredive, por jo interesat e depozitave bankare

Ndërsa numri i tyre është pakësuar, bankat në Shqipëri përgjatë pesë viteve të fundit kanë rritur gradualisht nivelin e fitimeve. Por, veçanërisht dy vitet e fundit kanë rezultuar të arta, me 2023-in që u mbyll me një fitim rekord prej 280 milionë eurosh. Fitimet janë ndikuar kryesisht nga rritja e normave të interesit nga Bankat Qendrore duke bërë që kreditë të shtrenjtohen. Por, në krahun tjetër sipas ekspertëve interesat nuk patën reflektim të fortë edhe tek normat e depozitave bankare

“Janë rritur normat e interesit për kreditim, i cili është rritur gjatë vitit të kaluar dhe në të njëjtën kohë nuk është rritur norma e kërkesës për depozitat”, -shprehet eksperti Mateo Spaho. Niveli rekord i fitimeve i bankave sipas ekspertëve duhet të sjellë shërbim më cilësor për qytetarët në të ardhmen. “Fitime të larta apo të ulëta këtë duhet ta vendosë tregu, çfarë ka rëndësi është që nga konkurrenca të përfitojnë edhe qytetarët edhe me nivelin e kreditimit por edhe me disa kleçka të vogla që janë komisionet. Nga krahu tjetër duhet thënë edhe që ka hapësira në Shqipëri për të hapur më shumë degë, do ishte mirë të ndodhte kështu që të mos kishim radhë të shumta nëpër banka, që mendoj se është një problem konkret që qytetarët kanë.”, tha ai.

Ndërkohë nga 11 banka në Shqipëri, 6 prej tyre janë me kapital të huaj. Në mënyrë të vazhdueshme fitimet e krijuara në vend transferohen te kompanitë mëmë dhe nuk riinvestohen në vend. Sipas ekspertëve kjo vjen për shkak se ekonomia jonë nuk është mjaftueshëm tërheqëse

“Që të riinvestohet fitimi në Shqipëri duhet që biznesi i caktuar pra banka ka një të ardhme dhe të zhvillohet më tej për vend. Pra të japë më shumë kredi dhe të krijojë produkte të reja për vendin. Ideja është që për të dhënë më shumë kredi duhet të kesh më shumë kërkesa për kredi nga sektorë të ndryshëm. Përndryshe bankat mëmë mendojnë që këto para mund t’i përdorin më mirë në një vend tjetër.”, pohoi ai. Ndërkohë vitin e kaluar Bankat tregtare përmirësuan edhe një tjetër tregues, atë të kredive me probleme, që arriti në nivelin 4.7% në dhjetor, më i ulëti në 15 vite./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne