Fitorja e Turqisë në Afrin

*Can ACUN

Forcat e Armatosura të Turqisë dhe Ushtria e Lirë Siriane në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit” të filluar për të spastruar zonën Afrin nga elementët e terrorit dhe për ta dorëzuar këtë rajon banorëve vendor, arritën që brenda 58 ditëve ta spastrojnë Afrinin dhe fshatrat përreth. Spastrimi i qendrës së Afrinit nga elementët e terrorit është i cilësisë mësimdhënëse nga aspekti humanitar, ushtarak dhe politik, por njëkohësisht do të ndryshojë shumë ekuilibra në këtë rajon. Suksesi i arritur në Afrin do të shkaktojë efektin domino.

Spastrimi i Afrinit nga elementët e organizatës separatiste terroriste PKK/YPG 7 vite pas fillimit të luftës civile në Siri është një mësim për të gjithë aktorët pjesëmarrës në këtë luftë. Bombardimet, torturat dhe lënia në uri për shkak të rrethimit të civilëve nga ana e regjimit të Esadit dhe përkrahësve të tij, janë kryer në sytë e botës. Ndërkohë që regjimi i Esadit ndaj civilëve ka përdorur armë të ndaluara si bomba fuqi dhe armë kimike edhe Rusia ka përdorur bomba napalm dhe ato thërrmuese. Ndërkaq Irani me luftëtarët e huaj, të cilët i solli nga vendet e ndryshme të botës, ka kryer krime të shumta të luftës.

Në anën tjetër ShBA-ja dhe YPG-ja morën pjesët veriore dhe lindore të Sirisë dhe vendosën një perandori të frikës në këto zona. Organizata terroriste YPG për ti dënuar civilët, të cilët nuk i bindeshin, bombardonte shtëpitë e tyre duke i dhënë koordinatat ShBA-së dhe në burgje torturonte shumë të tjerë. Kjo organizatë ka vrarë edhe kurdët sirianë, të cilët dilnin kundër udhëheqjes unilaterale të YPG-së. Ndërkaq ShBA-ja ka përdorur bomba fosfori në Siri dhe rrafshoi me tokë qytetin Rakka. Ky qytet aktualisht është një qytet fantazmë në të cilin nuk u kthyen civilët. Edhe pse ShBA-ja ka shkatërruar personalisht qytetin Rakka, ajo ende nuk është duke i bërë investimet e duhura për rindërtimin e rajonit.

Gjatë 7 viteve të luftës civile Siria ka parë shumë egërsira. Sado që aktet barbare të terrorit të DAESH-it kanë krijuar efekte tronditëse humbjet më të mëdha në jetët e civilëve u jetuan nga bombardimet e regjimit, Rusisë dhe ShBA-së. Njësitë e Ushtrisë së Lirë Siriane dhe të Forcave të Armatosura të Turqisë në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit” i dhanë një mësim të madh humanitar, ushtarak dhe politik të gjithë aktorëve në Siri. Përballë bërjes rrafsh me tokë të Rakkas dhe Mosulit nga ana e ShBA-së, të Halepit dhe Gutës Lindore nga Rusia dhe Humusit dhe Zabadanit nga ana e regjimit të Esadit, Turqia dhe Ushtria e Lirë Siriane spastruan Afrinin nga elementët e terrorit pothuajse pa shkaktuar fare dëme.

Siria gjatë 7 viteve të luftës civile nuk ka parë humbje kaq të vogla të civilëve sikurse gjatë operacioneve “Dega e Ullirit” dhe “Mburoja e Eufratit”. Forcat e Armatosura të Turqisë dhe Ushtria e Lirë Siriane, të cilat avancojnë në rajon, për dallim nga aktorët e tjerë në Siri, nuk bënë hakmarrje ndaj civilëve dhe i morën nën mbrojtje ata. Ndjeshmëria që u tregua ndaj civilëve gjatë operacionit paraqet shembull në borë. Për shembull në qoftë se ShBA-ja gjatë operacionit në Rakka do të tregonte ndjeshmëri të njëjtë sikurse Forcat e Armatosura të Turqisë dhe Ushtria e Lirë Siriane gjatë operacioneve “Dega e Ullirit” dhe “Mburoja e Eufratit”, në Rakka do të ktheheshin me qindra mijëra civilë.

Ushtria turke nuk prek civilët/të pafajshmit, mjedisin, objektet historike, fetare dhe kulturore | TRT  Shqip

Përveç të qenit shembull nga aspekti humanitar, ushtarak dhe politik, parashikohet që operacioni “Dega e Ullirit” ti ndryshojë edhe ekuilibrat në terren. Me anë të këtij operacioni është vendosur lidhja e drejtpërdrejtë mes zonave të spastruara nga elementët e terrorit dhe të rajonit të Idlibit, që ndodhet nën kontrollin e opozitarëve. Në këtë mënyrë opozitarët sirianë janë në një pozitë më të fortë në proceset e Astanës, Soçit dhe Gjenevës. Gjithashtu bashkëveprimi i Turqisë me Ushtrinë e Lirë Siriane, e cila është e lidhur me qeverinë e përkohshme të Sirisë, forcoi pozitën ushtarake dhe politike të opozitarëve sirianë.

Për më tepër së bashku me operacionin “Dega e Ullirit” është shkatërruar edhe perceptimi ndaj YPG-së i krijuar nga ana e medias. Fillimisht pretendimi se YPG-ja është “forca më efikase vendore” nga aspekti ushtarak nuk pasqyron të vërtetën, madje YPG-ja pa mbështetjen e ShBA-së është shumë e dobët. Gjithashtu u bë e qartë se YPG-ja nuk përfaqëson kurdët sirianë dhe nuk përkrahet nga banorët vendor. Kështu që pengimi i largimit të banorëve civilë nga rajoni i Afrinit të kontrolluar nga YPG-ja është dokumentuar edhe nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara edhe me anë të dronëve të ushtrisë turke.

Është shumë e qartë se efekti domino i shkaktuar me operacionin e suksesshëm në Afrin do të ndikojë edhe në zonat tjera të kontrolluara nga ana e PKK-së. Para së gjithash u forcua perceptimi se PKK-ja nuk është fuqi serioze ushtarake, por mbijeton vetëm me mbështetjen e ShBA-së. Tani edhe fiset arabe në lindje të lumit Eufrat, me në krye në Menbixh që kontrollohet nga PKK-ja, kanë filluar të mobilizohen. Fiset arabe ndodhen para kryengritjes kundër PKK-së.

*Ekspert i politikave të jashtme në Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), Ankara

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne