“Floriri i Mirditës”, kompania turke fiton dy leje minerare

Kompania turke “Tete Albania Tunel & Mining” është shpallur fituese e dy procedurave për dhënien e lejes minerare të zonave nr. 275/8 dhe 275/7. Këto përkojnë me minierat e bakrit Gurth 4 dhe Gurth 2, ku vlera e përbashkët e produkteve minerare llogaritet në gati 4.6 miliardë lekë, ose rreth 36.5 milionë euro.

Aksionet e kompanisë së themeluar në vitin 2007 ndahen mes dy kompanive të tjera turke: “TETE MADENCILIK VE MUHENDISLIK SANAYI VE TICARET” dhe “ILBAK MADENCILIK SANAYI VE TICARET ANONIM SIRKETI”, ku kjo e fundit zotëron 51% të aksioneve. Shoqëria “Tete Albania Tunel & Mining” është gjithashtu aktive në minierën e bakrit në Spaç, të dytës më të madhe pas asaj të Munellës.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e shpalli fituese këtë kompani bazuar në kriteret e vlerës së investimit dhe prodhimit përfundimtar të ofertës, pas garës së hapur të zhvilluar në Prill të këtij viti.

Në objektin Gurth 4, kompania synon të investojë rreth 370 milionë lekë dhe të realizojë një sasi prodhimi prej 50 mijë tonësh në vit. Vlera e produkteve minerare për këtë objekt llogaritet në 2.8 miliardë lekë, ndërsa rentabiliteti ekonomik do të jetë në masën 39%.

Prodhimi do të jetë më i ulët në objektin Gurth 2, nga e cila pritet të nxirren rreth 30 mijë ton minerale në vit, pas një investimi prej 367.5 milionë lekësh. Këtu vlera e produkteve minerare llogaritet në 1.78 miliardë lekë, ndërsa përqindja e shtetit do të jetë 33.1%.

Prodhimi nga të dyja objektet, raporton SCAN, do të përpunohet në impiantet e kompanisë, si ai në Fusharrëz.

Në vendburimin e Gurthit rezervat aktuale llogariten në 200.355 tonë me përmbajtje të lartë në përqindje gram ari për ton mineral bakri, ku përmbajtja varion nga 2 deri në 6.8% dhe nga 10 deri në 12%.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne