FMN-ja përgjysmon pritjet për rritjen ekonomike të Maqedonisë

Fondi Monetar Ndërkombëtar për herë të dytë këtë vit ka zvogëluar parashikimet e rritjes së ekonomisë së Maqedonisë. Fondi parashikon se rritja do të arrijë në vetëm 1.6%. Parashikimi fillestar në fillim të vitit ishte i njëjtë me qeverinë, 3.2 për qind, por në parashikimet e pranverës u korrigjua në 2.8 për qind. Sipas akademikut Taki Fiti, arsyeja për zvogëlimin e parashikimeve është e ashtuquajtura mini krizë politike.

Është e rëndësishme që në situata të tilla ndryshojnë pritjet e investitorëve apo të subjekteve ekonomike, një faktor që është vendimtar për profilizimin definitiv të procedurës së rritjes ekonomike, sepse nëse kompanitë tona dhe investitorët e huaj presin kohë më të vështira, tensione politike etj; atëherë njerëzit thjesht nuk investojnë. Nëse vjen deri te zgjedhjet politike, e gjithë energjia, angazhimi i plotë, do të kthehet në vetë zgjedhjet politike- deklaroi Taki Fiti – akademik.

Megjithatë, qeveria nuk tërhiqet nga parashikimet e saj të rritjes prej 3.2% të ekonomisë deri në fund të vitit. Pavarësisht paqëndrueshmërisë politike dhe ngecjes në tremujorin e parë të këtij viti, kryeministri Zoran Zaev është optimist se rritja prej 3.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti do të vazhdojë edhe në dy tremujorët e ardhshëm.

Ne nuk kemi asnjë arsye të heqim dorë nga parashikimet sepse ne kemi rritje në tremujorin e dytë, presim rritje në tremujorin e tretë dhe kjo do të jetë në të njëjtën kohë ashtu. Ne mbetemi me 3.2 për qind rritje dhe i kemi të gjitha arsyet praktike për këtë. Ju ndoshta e dini që institucionet ndërkombëtare, kur ka procese në ngecje, si tani nëse do të votohet ose jo, janë pesimist dhe ashtu i bëjnë komentet e tyre – deklaroi Zoran Zaev.

Nga vendet e rajonit, rritje më të madhe do të kenë Shqipëria, Serbia dhe Kosova, me 4 për qind, Mali i Zi 3.7 për qind, Bullgaria 3.6, Bosnja dhe Hercegovina 3.2 për qind dhe Kroacia 2.8 për qind. Në raportin e vjeshtës, FMN-ja ka zvogëluar parashikimin e saj për rritjen globale për vitin 2018 dhe 2019. Ekonomia botërore këtë vit dhe vitin e ardhshëm do të rritet me 3.7 për qind, në vend të 3.9 për qind të parashikuara më parë.

Aleksandra Spasevska

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne