Forcat izraelite incizohen në një “argëtim të përgjakshëm”

Kameramani i Anadolu Agency (AA) incizoi sot një video ku shfaqen ushtarët izraelitë në një “argëtim të përgjakshëm” kur shënjestruan me plumba të vërtetë palestinezët që protestonin në vendbanimet e paligjshme hebraike në Ramallah në Bregun Perëndimor të okupuar.

Forcat izraelite qëlluan me gaz lotsjellës si dhe me plumba gome dhe plumba të vërtetë për të shpërndarë demonstruesit në Kafr Malik. Palestinezët u kundërpërgjigjën duke hedhur me gurë.

Kameramani i AA-së, Hisham Abu Shaqrah, filmoi ushtarët izraelitë duke u argëtuar me praktikën e shënjestrimit të palestinezëve pasi një anëtar i forcave të armatosura izraelite qëlloi një demonstrues në këmbë me një të shtënë nga një distancë e afërt.

Ushtarët izraelitë mund të shiheshin në video duke festuar plagosjen e demonstruesit, duke qeshur dhe përqafuar njëri-tjetrin. Pamjet tregojnë gjithashtu se protestuesi i plagosur po dërgohet në një auto-ambulancë.

Ka më shumë se 250 vendbanime ilegale hebraike në Bregun Perëndimor që u pushtua nga Izraeli në vitin 1967. Popullsia e kolonëve hebrenj që banojnë atje tejkalon 400.000.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebraike të vendosura në territoret e okupuara janë të paligjshme.

Duke përmendur shqetësimet e “sigurisë” që u shfaqën pas “Intifadës së Dytë”, respektivisht pas kryengritjes e cila shpërtheu në vitin 2000, Izraeli ndërtoi një mur midis Bregut Perëndimor dhe Izraelit në vitin 2002.

Rreth 3 milionë palestinezë në Bregun Perëndimor nuk mund të kalojnë në Kudsin Lindor të okupuar dhe në Izrael për shkak të murit.

Palestinezët kanë organizuar protesta kundër murit dhe vendbanimeve të paligjshme hebraike çdo të premte, por forcat izraelite janë përgjigjur me plumba të vërtetë, plumba gome, gaz lotsjellës dhe topa uji./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne