FOTO/ “Edi Rama, dua pagën e luftës”, punonjëset e fasonerisë bllokojnë hyrjen e Tatimeve në Durrës

Punonjësit e një fasonerie në Durrës e kanë nisur ditën sot me protestë.

Me pankarta në duar, me thirrje të forta “Duam të drejtat tona”, punonjësit janë vendosur në shkallet e hyrjes së godinës së Tatimeve.

Ata duke zaptuar këtë hyrje nuk lejojnë punonjësit të futen në zyre, duke akuzuar shtetin se i ka lënë në harresë dhe nuk po u përgjigjet për të marrë pagën.

Kjo është një formë proteste që gratë fasone zgjodhën për të treguar se nuk e meritojnë diskriminimin nga qeveria, e cila nuk jep asnjë ndihmë për fasoneritë.

Protestueset thonë se ky është sektori më i prekur gjatë pandemisë, pasi biznesi nuk u mbyll me urdhër qeverie, por as puna nuk vazhdoi në shumë prej tyre.

Pothuaj gjysma e grave dhe vajzave dolën të papuna, por nuk marrin asnjë ndihmë.

“Ne nuk heshtim, kërkojmë atë që na takon”. – thuhet në një nga pankartat që ato mbani në duar.

Njëra prej tyre i drejtohet direkt kryeministrit “Edi Rama, dua pagën e luftës”.

Tatimet u kanë thënë se nuk e përfitojnë, prandaj rreth 70 gra dhe vajza e bllokuan për një orë hyrjen e Tatimeve Durrës./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne