Franca arreston 2 persona në lidhje me grabitjen në Muzeun e Luvrit

Arrestimet vijnë një javë pas grabitjes që besohet të jetë kryer nga një grup prej katër anëtarësh që thyen dritaren në Galerinë e Apollonit para se të arratiseshin me xhevahiret.

Autoritetet franceze arrestuan dy të dyshuar të lidhur me grabitjen e javës së kaluar në Muzeun e Luvrit, ku u vodhën tetë nga xhevahiret e kurorës së Francës me vlerë rreth 88 milionë euro, raportuan mediat lokale të dielën, transmeton Anadolu.

Sipas BFMTV-së, një i dyshuar është ndalua të shtunën vonë në Aeroportin “Roissy-Charles-de-Gaulle” ndërsa përpiqej të hipte në një fluturim për në Algjeri. Arrestimi është kryer nga policia kufitare dhe brigada antibanditizëm.

Një person i dytë është marrë gjithashtu në paraburgim në lidhje me grabitjen, që besohet të jetë kryer nga një grup prej katër anëtarësh që thyen dritaren në Galerinë e Apollonit para se të arratiseshin me xhevahiret.

Hetuesit janë ende në kërkim të dy të dyshuarve të mbetur dhe sendeve të vjedhura.

Koleksioni i vjedhur përfshinte një gjerdan dhe një vath nga koleksioni Marie-Louise, një gjerdan, vathë dhe diademë nga koleksionet Marie-Amelie dhe Hortense, dhe dy brosha, një fjongo korseje dhe një diademë nga koleksioni Perandoresha Eugenie.

Hetuesit më vonë gjetën kurorën e Eugenies, të cilën grabitësit e braktisën pranë muzeut – një zbulim që një roje sigurie i Luvrit e përshkroi si provë se “plani i tyre u pengua”./anadolu

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne