Franca: Nuk ka liberalizim vizash, Kosova nuk i ka përmbushur të gjitha kriteret

Franca thotë se Kosova ende nuk i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, e madje ky vendim nuk do të merret pa përmbushjen e të gjitha kritereve.

Drejtoresha për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Jashtme të Francës, Florence Mangin, në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë këtë javë, ka potencuar se Komisioni Evropian kishte paraqitur dy kritere që Kosova duhet t’i adresojë para se ta marrë liberalizimin e vizave.

“Ishte ky demarkimi i kufirit me Malin e Zi dhe përparimi real në luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, i cili, siç e dini, është një element madhor i përafrimit me BE-në dhe kjo gjë është përsëritur gjatë Samitit të Sofjes majin e shkuar, si dhe lufta kundër krimit të organizuar. I pari është përmbushur, pas një periudhe të gjatë kohore, por është përmbushur. Kur është në pyetje kushti i dytë, shumë gjëra janë ndërmarrë nga Kosova, disa ligje janë miratuar në fillim të vitit, gjatë marsit dhe prillit, ligje këto që kanë të bëjnë me reformat në gjyqësor. Por disa elemente tjera ende duhet të përmbushen, posaçërisht kur janë në pyetje sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit”, ka thënë Mangin në këtë intervistë.

Në këto raste, Mangin thotë se nuk kemi të bëjmë me kalimin e ligjeve, por më shumë me përcjelljen e zbatimit të ligjeve në mënyrë konkrete. E sa u përket ligjeve për reformat e gjyqësorit, ajo thotë se ka ende që nuk janë miratuar nga Parlamenti, në rend të parë Kodi Penal, si edhe një ligj tjetër që është shumë i rëndësishëm, e ky është Ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

“Këto ligje janë pjesë e reformimit të gjyqësisë, që ka nisur të ndërmerret, por nuk është finalizuar. Për këtë arsye ne konsiderojmë se raporti i përgatitur prej Komisionit përmban disa pika të dobëta. Ne nuk e ndajmë mendimin kur është në pyetje i tërë vlerësimi dhe në këtë aspekt nuk jemi të vetmit. Disa elemente, atë që sapo e përmenda, ende nuk janë miratuar ose janë miratuar vetëm kohët e fundit për të prodhuar efektet e tyre”, ka theksuar Drejtoresha për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Jashtme të Francës, Florence Mangin.

Ajo bëri me dije se nëse vendimi për liberalizim vizash shtyhet përtej dhjetorit, arsye do të jenë mospërmbushja e këtyre kritereve.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne