Francë – “Jelekët e Verdhë” vazhdojnë protestat antiqeveritare

Kjo ishte java e 23-të radhazi e protestave të jelekëverdhëve, të cilat filluan si reagim ndaj rritjes së çmimit të karburanteve dhe kushteve të këqija ekonomike, por që më pas u shndërruan në protesta antiqeveritare.

Protestat u shoqëruan me përplasje ndërmjet forcave policore dhe mijëra jelekëverdhëve, të cilët marshuan nga sheshi “Bataillon du Pacifique” deri në sheshin “Republique” të Parisit. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion kundër demonstruesve, që provokuan situatën duke gjuajtur me shishe dhe gurë.

Kurse një tjetër grup jelekëverdhësh, tubuar në sheshin “Bastille”, u vuri flakën disa makinave, motoçikletave dhe një barrikade.

Në protestat e zhvilluara në kryeqytetin francez u ndaluan nga policia 227 persona, ndërsa 20 mijë e 518 të tjerë iu nënshtruan kontrollit fizik.

Protesta u zhvilluan gjithashtu në Tuluzë, Bordo, Marsejë dhe Monpelie, disa nga qytetet më të rëndësishme të vendit. Tensionet nuk munguan as në Tuluzë, ku policia ndërhyri me gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstruesit.

Sipas të dhënave zyrtare, në protestat e organizuara në shkallë vendi morën pjesë 27 mijë e 900 persona, nga të cilët 9 mijë vetëm në Paris, ndërsa qeveria dërgoi 60 mijë policë për të ruajtur rendin.

Në Paris pati ndërprerje të udhëtimeve në shumë linja të metrosë.

Protestat e grupi joformal “Jelekët e Verdhë” në Francë filluan në 17 nëntor 2018.

Informacionet zyrtare flasim për të paktën 11 viktima dhe rreth 2.000 të plagosur që nga fillimi i këtyre protestave e deri më sot, ndërkohë që janë arrestuar mbi 8.400 protestues dhe të paktën 1.000 prej tyre janë dënuar me heqje lirie./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne