Frika nga koronavirusi, rriten importet e produkteve farmaceutike përtej normalitetit në mars-prill

Pandemia çoi në kolaps sektorin e tregtisë përgjatë muajve të fundit, volumi tregtar me jashtë shënoi rënie të fortë gjatë kësaj periudhe, por produktet që lidhen me farmaceutikën shënuan rritje anormale.

Sipas të dhënave të INSTAT, importet e produkteve farmaceutike shënuan rritje dyshifrore gjatë mars-prill, përkatësisht me 10 dhe 18 për qind.

Për 4 mujorin, importet e barnave ranë me 1.3% me bazë vjetore, për shkak të tkurrjes së tyre në janar dhe shkurt (shih grafikun).

Në muajin mars u importuan 2,1 miliardë lekë produkte farmaceutike me një rritje 10,4 % në raport me muajin mars 2019, ndërsa në prill u importuan 2,2 miliardë lekë, me një rritje 18,2 % në krahasim me të njëjtën periudhe të viti më parë.

Përfaqësues të distributorëve më të mëdhenj farmaceutikë pohojnë se kjo rritje ka ardhur pasi kompanitë, në situatën e paqartë të krijuar nga Covid-19, në mars dhe në prill importuan sasi të mëdha barnash, për të evituar mungesën e ilaçeve në treg, pasi dhe kërkesa nga farmacitë ishte e lartë në mars, por edhe për të evituar problemet me transportin.

Por, më pas, farmacitë krijuan stoqe, teksa klientët nuk po shkonin të merrnin ilaçet, në mungesë dhe të vizitave nga mjekët. Ndërsa në prill dhe në maj, kërkesa për barna ka qenë relativisht e ulët. Kjo tendencë është konstatuar edhe për spitalet.

Pas krijimit të stoqeve të larta në mars e prill, pritet që situata të normalizohet në muajt në vijim.

Importuesit pohojnë se një problem tjetër është kursi, pasi importet janë kryer kur euro ishte 122.15 lekë, ndërsa kursi aktual është 124.4 lekë, ose më lart. Kjo ka bërë që importuesit të rezultojnë me humbje, pasi qeveria ende nuk e ka ndryshuar kursin me të cilin importohen barnat.

Vdekshmëria dhe sëmundshmëria ra në tremujorin e parë

INSTAT ka raportuar paraprakisht një tendencë rënëse të vdekjeve në tremujorin e parë të vitit, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas treguesve demografike, të publikuara sot nga INSTAT, 6,115 persona humbën jetën në janar-mars, në krahasim me 6,361 në tremujorin e parë 2019, me një rënie prej gati 4%, ose 246 jetë të humbura më pak.

Këto janë të dhëna paraprake dhe INSTAT pohon se do i rivlerësojë në të ardhmen, për shkak të vështirësisë së mbledhjes së informacionit nga situata e Covid-19.

Përgjithësisht, tremujori i parë ka një numër më të lartë vdekjesh, në raport me periudhat e tjera, që nga mjekët shpjegohet me faktin se i ftohti ul imunitetin dhe kjo çon në humbjen e jetës së personave të dobët, sidomos të moshuarve.

Por, të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e parë të 2020-s, numri i vdekjeve ka qenë më i ulëti në katër vitet e fundit për të njëjtën periudhë kohore. Rekordi është shënuar në tre muajt e parë 2017, me 6,791 vdekje.

Mjekët pohojnë se një arsye e rënies së vdekjeve, mund të lidhet me faktin që izolimi ka bllokuar edhe gripin sezonal. “Nga ana tjetër, individët, duke qëndruar në izolim dhe të shkëputur nga puna, kanë qenë të prirur për më pak infarkte dhe goditje të tjera në tru”, thotë Petrit Malaj, pneumolog.

Ai shton se kufizimet në lëvizje për shkak të pandemisë më qellim frenimin e përhapjes se Covid -19 kanw ndikuar pozitivisht në frenimin e një sëmundjeve të tjera. Të sëmurit kronike duke qenë më pak të ekspozuar kundrejt virozave, kanë pasur më pak nevojë për trajtime. Kjo, sipas Malaj, ka qenë e dukshme në mars dhe prill.

Mjekët pohojnë se, virozat sezonale përkeqësojnë gjendjen e të sëmurëve me sëmundje të tjera shoqëruese, të cilët për të përballuar gripin e zakonshëm duhen trajtuar me antibiotikë. Burimet nga Qendra Spitalore Nënë Tereza pohuan se gjatë periudhës së kufizimeve kërkesat për urgjencë dhe shtrime kishin pësuar rënie më shumë se 60 për qind.

Rreziku për farmacitë

Rritja me ritme dyshifrore e importeve për disa produkteve rrezikon të kthehet në humbje për të gjithë zinxhirin e farmaceutikës, pasi për disa konsumi është rritur përtej ofertës, ndërsa për disa të tjera nuk ka kërkesë duke bërë që shumë medikamente dhe kryesisht antibiotikë rrezikojnë të skadojnë e të kthehen në humbje.

Olsi Çaushi i cili prej vitesh zotëron një farmaci në Tiranë shprehet se, 3 të katërtat e furnizimeve rrezikojnë skadencën duke i marrë gati të gjithë fitimet që erdhën nga shitjet jo të zakonta të vitaminave dhe maskave.

Nevoja për shërbime mjekësore ka ulur konsumin e antibiotikëve, të cilët rrezikojnë të skadojnë nga mungesa e shitjeve.

Emil Qirko, që zotëron një farmaci në afërsi të stacionit të Trenit në Tiranë, thotë se antibiotikët dhe në përgjithësi konsumi i antinflamatorëve ka rënë. Kjo kategori zë pjesën kryesore të buxhetit dhe fitimit të farmacive dhe një pjesë e tyre rrezikon të përfundojë në plehra, pasi janë në afate të skadencës.

Tregu farmaceutik në vendin tonë vuan nga problematika të mëdha që lidhen me rregulloret e mangëta, keqfunksionimin e tregut nga mbingopja me operatorë në linjat e pakicës dhe nga ndryshimi i politikave të rimbursimit.

Rritet kërkesa për maska, doreza e suplemente

“Covid-19, nxiti kryesisht konsumimin e suplementeve, sidomos vitaminës C, maskave dhe dorezave”, thotë Çaushi.

Ai tha se këto ditë shitjet kanë qenë më të mëdha për vitaminat se sa për medikamentet. Sipas tij kërkesë ka pasur për të gjitha llojet e suplementeve që ndikojnë në rritjen e imunitetet, por kërkesa më e lartë ka shkuar për blerjen e vitaminës, e cila ishte edhe më e rekomanduara nga ekipet mjekësore kudo në botë që u morën me trajtimin e Covid.

Rritja e konsumit të barnave vitet e fundit

Vitet e fundit ka një trend në rritje të importit të produkteve farmaceutike, për shkak të plakjes së popullsisë që me vete mbart edhe një barrë më të lartë sëmundjesh.

Nga viti 2013 në vitin 2019 importi barnave është rritur më shumë se 30%, teksa shumë artikuj të tjerë të konsumit të shportës janë krizë nga rënia e numrit të popullsisë.

Menaxherët në depot e mëdha farmaceutike pohojnë se kërkesa po shënon rritje të shpejtë nga viti në vit për medikamentet që trajtojnë sëmundjet kardiovaskulare dhe kancerogjene. Rritja e konsumit po reflekton rritjen e sëmundshmërisë, plakjen e popullsisë dhe medikamentet jocilësore me çmime të lira. Mjekët pohojnë se kanë rritur dozimin, për shkak se cilësia e ilaçeve ka rënë. Sëmundshmëria po rritet me shpejtësi, teksa sektori i shëndetësisë mbetet i nënfinancuar./Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne