Gabon, lihet i lirë presidenti Ali Bongo

Presidenti Ali Bongo i cili mbahej nën arrestin shtëpiak pas grushtit të shtetit të 30 gushtit në Gabon është lënë i lirë.

Administrata ushtarake e emërtuar si “Komiteti për Tranzicionin dhe Rivendosjen e Institucioneve (CTRI)” njoftoi se duke pasur parasysh situatën shëndetësore të Bongo, tashmë ai “është i lirë të lëvizë ashtu si dëshiron”.

CTRI bëri të ditur se Bongo nëse dëshiron mund të dalë edhe jashtë vendit për të marrë trajtim. Komisioni i bllokut të Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Qendrore (ECCAS) zhvilloi bisedime me administratën ushtarake për lirimin e Bongos.

Thuhet se Bongo mund të shkojë në Marok ku ai u trajtua për një periudhë të gjatë kur pësoi paralizë në vitin 2018. Sipas lajmeve në shtypin lokal, Bongo u vizitua në rezidencën e tij nga përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Afrikën Qendrore, Abdou Abarry.

Abarry paraqiti një pamje të shkurtër për media me Bongon. Dhe në këtë mënyrë Bongo u pa për herë të parë që nga 30 gushti.

Grushti i shtetit në Gabon

Në Gabon presidenti Ali Bongo fitoi për herë të tretë në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën më 26 gusht. Në vend u vendos ndalesë e daljes në rrugë me arsyen se në orët e fundit të procesit të votimit u zbatua “dhunë” ndërsa u kufizua interneti teksa vazhdonte procesi i numërimit.

Më 30 gusht një grup ushtarakësh në Gabon hynë në ndërtesën e televizionit kombëtar dhe njoftuan marrjen e qeverisë.

Administrata ushtarake e emërtuar CRTI njoftoi anulimin e zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 26 gusht dhe se në krye të CTRI-së u vendos komandanti i Gardës së Republikës, gjenerali Brice Oligui Nguema.

Gjenerali Nguema u betua si “president i qeverisë së tranzicionit” para Gjykatës Kushtetuese në një ceremoni të mbajtur më 4 shtator. Ali Bongo mori detyrën në vitin 2009 pas vdekjes së babait të tij Omar Bongo i cili u zgjodh për herë të parë si president në vitin 1967.

Familja Bongo drejtonte Gabonin prej 56 vitesh./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne