Gabriel fshikullon Trump: Jo egoizmit nacional

Fjalimin e tij përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel e ktheu në një paralajmërim mbi rrezikun e “egoizmit nacional” në skenën politike globale.

Edhe pse nuk e përmendi në emër Donald Trumpin, ishte e qartë se fjalët e kryediplomatit gjerman i drejtoheshin më së pari presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.“Egoizmi nacional nuk është i përshtatshëm si parim i një rendi, sepse në të kundërt do të jetë në fuqi e drejta e më të fortit dhe jo forca e së drejtës ndërkombëtare. Jam i sigurtë se ne duhet ta përballim këtë me botëkuptimin tonë. Nevojitet më shumë bashkëpunim ndërkombëtar dhe më pak egoizëm nacional, e jo anasjelltas”, tha Gabriel.“Një moto si ‘vendi ynë i pari’ vetëm sa shton konfrontimin nacional dhe prodhon më pak mirëqenie”, ishte komenti i Gabriel, që theksoi gjithashtu se “një situatë e tillë, në fund prodhon vetëm të humbur”.“Përvoja historike e gjermanëve pas Luftës së Dytë Botërore tregon se, Gjermaninë nuk e bëri të fortë dhe të mirëqenë motoja ‘Gjermania e para’, por partneriteti me ish-kundërshtarët e luftës në Europë”, shtoi ai.“Amerika e para” është linja orientuese e mandatit të Trump, ndaj nuk është e vështirë të kuptohet se kujt i referoheshin komentet e ministrit të Jashtëm gjerman. Gabriel theksoi rëndësinë e bashkëpunimit edhe në krizën e Koresë së Veriut dhe përshëndeti raundin e ri të sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne