Bota

Gazetarët e Reuters-it lirohen nga burgu i Mianmarit

Dy gazetarët e Reuters-it në Mianmar, të cilët ishin burgosur për ekspozimin e masakrës ndaj muslimanëve Rohingya, u liruan pasi kaluan më shumë se 500 ditë në burg, raporton Anadolu Agency (AA).

Wa Lone, 32 vjeç, dhe Kyaw Soe Oo, 28 vjeç, ishin në mesin e 6.520 të burgosurve që u liruan në raundin e tretë të faljeve nga presidenti Win Myint për të festuar Vitin e Ri tradicional, që filloi më 17 prill.

Bashkëshortja e Wa Lone, Pan Ei Mon, për AA e konfirmoi lirimin e gazetarëve.

“Ne tani jemi me ta. Ata janë liruar”, tha ajo përmes telefonit.

Dy gazetarët u arrestuan në dhjetor të vitit 2017 dhe që të dy u dënuan me nga shtatë vjet burg në shtator të vitit 2018 rreth pretendimeve për shkeljen e një ligji të ngelur nga periudha koloniale për hulumtimin e vrasjes së dhjetë personave të komunitetit Rohingya në shtetin Arakan të Mianmarit të kryer në vitin 2017.

Muslimanët Rohingya, që përshkruhen nga Kombet e Bashkuara si njerëzit më të persekutuar në botë, janë përballuar me frikë në rritje nga sulmet, pasi disa persona u vranë në dhunën komunale të vitit 2012.

Sipas organizatës Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një operacion ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017.

Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim të Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.

Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr, ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, ka treguar raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”.

Raporti thotë se rreth 18 mijë gra dhe vajza nga komuniteti Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit, ndërsa mbi 115 mijë shtëpi u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.

OKB-ja gjithashtu ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të tjera të kryera nga forcat shtetërore në Mianmar. Në një raport, hetuesit e OKB-së kanë thënë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit dhe gjenocid./ AA

OPINIONE