Shqiperia

Gazetarja: Xhisielën e kanë urdhëruar të shkojë në studio tjetër

Një ‘luftë’ e ashpër për audiencë mes dy gazetarëve të njohur që mori përmasa dhe më të mëdha pas deklaratave kontradiktore të Xhisiela Malokut. Siç ishte paralajmëruar ajo do të dilte sot në një intervistë në Top Channel me gazetaren Eni Vasili por pak minuta para se të niste emisionit Blendi Fevziu e hodhi intervistën me vajzën në “Facebook”.Xhisiela Maloku

Pas kësaj intervista për Fevziun u dha në Klan. Ndër të tjera Xhisiela deklaroi në “Opinion” se intervista në Top Channel ishte manipuluar. Ajo tha se i ishin marrë dy intervista pasi kishte probleme me zërin por është transmetuar vetëm njëra dhe aty kanë ndërhyrë. Nga ana tjetër Fevziu i ka dalë në mbrojtje Vasilit përballë Xhisielës pasi tha se probleme ka për çdo televizion dhe se pyetjet gazetarët mund t’i bëjnë në mënyra të ndryshme.

Pas kësaj deklarate gazetarja Eni Vasili ka reaguar live në emision e cila theksoi se intervista ishte e plotë dhe e vërtetë. Por Vasili shkoi dhe më tej me një deklaratë të fortë kur tha se Xhisiela është urdhëruar të shkojë në një studio tjetër, duke iu referuar “Opinion”. Po kush e ka urdhëruar 25-vjeçaren?

“Po është e vërtetë që Xhisiela ka dhënë dhe një intervistë tjetër për një gazetar tjetër që unë vendosa të mos e transmetoj në emisionin tim. Por iu kërkoj kolegëve fair game ‘lojë të ndershme’. Xhisiela më tha që nuk vij live se më kanë urdhëruar të shkoj në një studio tjetër.
Jam përpjekur të marr një dëshmi, të bëj një punë profesionale. Qëllimi im ishte e vërteta. Dëshmoj këtu bashkë me 20 vitet e karrierës sime se gjithçka u transmetuar është vetëm e vërteta. Kam qenë unë, Xhisiela dhe gazetarja Anila Hoxha. Aty dha përgjigje për të cilat nuk ishte e përgatitur. Na ka marrë në telefon për të hequr disa pjesë por nuk e bëmë dhe ne e transmetuam të plotë.
Në fund të intervistës i kam thënë që për çdo gjë që do ketë nevojë për çfarëdo lloj ndihme numrin tim të telefonit e ka”, tha Vasili.

Burimi: BalkanWeb