“GENOVA”, FUNDI I KONCESIONEVE PËR VEPRAT PUBLIKE?

Nga Klodian TOMORRI

Më pak se 24 orë nga tragjedia që shkaktoi shembja e urës “Morandi” në Genova, qeveria italiane paralajmëroi dy masa të forta mbi koncesionarin privat që ka mirëmbajtjen e urës. Së pari vendosjen e një gjobe të jashtëzakonshme 150 milionë euro dhe së dyti shtetëzimin e të gjitha koncesioneve në infrastrukturën rrugore.

Koncesionari privat që ka mirëmbajtjen e urës “Morandi” është “Autostrade per l’Italia”, një nga shoqëritë më të mëdha në Europë për këtë sektor. Ajo zotërohet nga grupi Atlantia, i cili nga ana e tij kontrollohet nga familja e njohur, Benetton.

Aktualisht, “Autostrade per l’Italia” ka koncesionin e mirëmbajtjes për mbi 5 mijë kilometra autostrada në Itali mes të cilave, Milano-Napoli, Milano-Brescia, Bologna-Padova, Citavechia-Roma dhe shumë e shumë nyje të tjera kyç në rrjetin rrugor italian.

A është tragjedia e Genova-s fundi i erës së koncesioneve private në mirëmbatjen e veprave publike? Kjo ndoshta është ende herët të thuhet.

Por paralajmërimi i qeverisë italiane për shtetëzimin e mirëmbajtjes së autostradave përbën një pikë të fortë kthese në politikën e një prej vendeve që e ka përdorur më shumë instrumentin e delegimit të mirëmbatjes së rrugëve tek privati. Dhe gjasat janë që impakti i rastit Genova të mos kufizohet vetëm në Itali.

Kjo mund të shtyjë edhe qeveritë e vendeve të tjera në Europën Perëndimore të rishohin politikën e mirëmbajtjes së veprave publike të infrastrukturës.

Arsyeja kryesore se pse qeveritë nëpër botë filluan të delegonin mirëmbatjen e veprave publike tek privatët, përveç kufizimeve buxhetore ka qenë pikërisht eficenca. Në ekonomi, është gjerësisht e pranuar se privatët janë shumë më eficentë se administrata publike në terma të kostos dhe ofrimit të shërbimeve për qytetarët.

Por ashtu siç tregoi rasti Genova, ndoshta ekonomistët kanë neglizhuar një faktor edhe më të rëndësishëm se eficenca, që është siguria e qytetarëve.

Në teorinë ekonomike ka një konflikt shekullor mes eficencës dhe barazisë. Përgjithësisht të dyja këto kundërshtojnë njëra tjetrën. Për të pasur më shumë nga e para duhet të heqësh dorë nga e dyta ose anasjelltas. Në rastin e mirëmbajtjes së veprave publike, që lidhen me sigurinë e qytetarëve konflikti merr trajtën eficencë vs siguri?

Pyetja thelbësore në këtë rast është: A mundet maksimizimi i fitimit, si objektivi kryesor i një shoqërie private, të shkojë bashkë me sigurinë publike? Apo ashtu si eficenca me barazinë edhe në këtë rast kemi ‘trade off’?./ shqip

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne