Gëzim Shima: Peripecitë tona në kërkim të uraniumit, ja çfarë gjetëm

Leonard Veizi

Uranium nuk kishte në sasitë që pretendohej por uraniumi duhej gjetur gjithsesi… Gëzim Shima ishte një nga inxhinierët i cili bënte pjesë në ekipin që kërkonte uraniumin shqiptar, e që më pas u emërua si shefi i ekipit të rivelimit për kërkimin e tij. Në ato vite, puna e këtij ekipi ishte tepër e ndërlikuar dhe nën masa të rrepta sigurie. Ai thotë se në galeritë e kërkimit të uraniumit punonin njerëz që dinin të mbanin sekretin. Sot më shumë se 30 vjet pas mbylljes së galerive ku u gjet mineral me përqindje të pakët uraniumi, Shima thotë se gjithsesi kërkimi intensiv i përket së ardhmes.

Cila ishte detyra juaj si ekip inxhinierësh gjeologë?

Hartat tona ishin më të rëndësishme se ato të topografisë ushtarake dhe puna jonë vlerësohej më shumë se sa e uzinave sekrete të ushtrisë. Detyra parësore ishte të gjenim gjurmët e uraniumit, kudo që të ndodhej ai, në Jug apo Veri. Ishte një detyrë e cila duhej zbatuar me çdo kusht, pasi vetëm në këtë mënyrë, gjithë bota do kuptonte se ekspeditat e huaja që kishin rrëmuar tokën shqiptare për të njëjtën çështje, kishin dështuar. Në këtë mënyrë, Shqipëria do tregonte gjithashtu se ishte e aftë të ndërtonte socializmin duke pasur si pasuri, lëndën e rrallë radioaktive që përdorej gjerësisht në elektricitet, mjekësi e armatim.

Ndërkohë specialistë të huaj kishin kërkuar për uranium në territorin shqiptar?

Specialistët rusë, që u larguan nga Shqipëria më 1960, thanë se Shqipëria kishte nivel të varfër me lëndë radioaktive të tipit uranium, por këtë duket se nuk donin ta besonin qeveritarët e lartë, të cilët në kërkime të këtij lloji orientuan dhe specialistët kinezë. Por duket se as kinezë, nuk ishin optimistë në gjetjen me sasi të konsiderueshme të uraniumit shqiptar. Kishim hartat e lëna nga rusët. Ata kishin përcaktuar disa zona, por pasi i verifikuam, nuk doli gjë. Kështu që na ra pjesa ne shqiptarëve t’i shtrohemi punës.

Në fakt kishte Shqipëria vendburime uraniumi?

Formacionet ku lokalizoheshin vendburimet e uraniumit në Shqipëri, kjo e mbështetur saktësisht në shkencën gjeologjike, kishin përhapje të kufizuar dhe rezervat ishin të papërfillshme. Në vitin 1972, në gazetën Zëri i Rinisë, në faqen e saj shkencore, botova një artikull të titulluar shkencërisht “Lantanidet”, por që në shqip vjen me emrin “Elementët e tokave të rralla”. Në këtë artikull, flitej për elementët në “tokat e rralla shqiptare”, mënyrën e përpunimit të tyre dhe koston e një shpenzimi të tillë. Mesatarisht gjatë përpunimit të 10 mijë tonëve mineral dilte 1-kilogram Metal, i cili përmbante në vetvete 14 elementë të rëndësishëm.

Ky Metal, përdorej gjerësisht në të gjitha fushat e teknikës dhe në atë kohë në tregun evropian kushtonte më shumë se 200 mijë dollarë për kile. Gjithsesi, një punë e tillë kishte një kosto të lartë për një vend si Shqipëria. Në maj të vitit 1974, në një mbledhje ku merrte pjesë dhe Teki Biçoku, Drejtor i Drejtorisë Gjeologjike, relatova haptazi, që forcat e mëdha që përdoreshin në frontin e lëndëve radioaktive, të hidheshin për t’u marrë me kromin e bakrin, që ishin dhe mineralet nga të cilat vareshin më së shumti eksportet shqiptare.

Por kjo gjë nuk u erdhi për mirë drejtuesve. Gjatë kësaj mbledhjeje, paraqita dhe pjesë nga punimi im, që cilësonte se zonat me material radioaktiv ishin: në mal të Dajtit dhe në Krujë për lëndën boksid, në Gjirokastër dhe Sarandë për lëndën fosforid, si dhe në Gur të Zi në Shkodër, ku kampionët e analizuar tregonin gjurmë metali radioaktiv tip uranium. Që të përpunoheshin e shfrytëzoheshin lëndët radioaktive, duheshin ngritur laboratorë të kushtueshëm, gjë që Shqipëria e kishte të vështirë t’i përballonte.

Industria jonë kishte nevojë për uranium?

Nuk është se industria jonë në ato vite mund ta përdorte uraniumin. Kërkimi i tij kishte lidhje me psikozën që duhet të krijohej në popull se nëntoka jonë kishte gjithçka, flori edhe argjend, bakër edhe krom e në fund edhe lëndë radioaktive. Për këtë arsye shteti shpenzoi miliona dollarë e mbajti për më shumë se 15 vjet rreth 250 specialistë e punëtorë me rroga të larta, të cilët hapën galeri kërkimi prej qindra metrash.

Ku raportonit për punën tuaj?

Kryeministrin Mehmet Shehu e takonim sistematikisht një herë në 6 muaj për t’i raportuar. Nëpër biseda kam kuptuar se ai e konsideronte uraniumin si rezervë, që mund të hynte në punë më vonë. Pra, Mehmeti ishte më i moderuar në koncept.

***

Zbulimi i vendburimeve në Veri

“Para se të emërohesha në krye të ekspeditës, në Kukës, në zonën e Shishtavecit, në vendin e quajtur Nimçe, që në vitin 1970, ishte gjetur një damar minerali me përmbajtje uraniumi. Gjithçka ishte meritë e një grupi gjeologësh që drejtohej nga Llambi Llango e Vasil Nasi, ndërkohë që për kërkim/zbulimin fillestar patën merita gjeologët Petrit Kodheli dhe Ismail Balluku. Për zbulimin e vendburimit të dytë, atij të Muhurit në zonën e Peshkopisë, ishte edhe kontributi im, por meritën më të madhe e kishin teknikët gjeofizikë Sulejman Dama, Sabri Luli e Gëzim Kalldani. Një ndihmë të madhe në kërkim/rilevime dhe kërkim/zbulime kishin dhënë inxhinierët gjeofizikë Safet Dogjani, Osman Lika, Pëllumb Kasapi etj. Por gjithsesi vendburimi i Kukësit, apo galeria e Nimçes, kishte përmbajtje më të madhe të uraniumit. Nëse në Muhur të Dibrës u gjet mineral që kishte deri në 0.05% uranium, në Nimçe të Kukësit kjo sasi ishte në rastin më të lartë deri në 0.5 për qind”, – shprehet inxhinieri i njohur.

Dy vendburimet

Sipas Gëzim Shimës, në vitet 1970- 1986, ishin vetëm dy galeritë ku u gërmua vetëm me qëllim kërkimin e mineralit të uraniumit. Një prej galerive u rrëmua në këmbë të lumit Topojan, në zonën e Shishtavecit në Kukës, kurse galeria tjetër në Muhur të Dibrës, në breg të lumit Setë. Në galeri u gjet një shtresë e mineralit uraniummbajtës e trashësisë nga disa milimetra deri në dhjetëshet e para të metrave.

Në krye të ekspeditës sekrete

Në 1972 Gëzim Shimën e emërojnë në krye të ekipit që kërkonte uranium. “Në Ndërmarrjen Gjeofizike të Tiranës u hodhën për herë të parë idetë e nisi puna për kërkim/vlerësimet e mineraleve të rralla, të çmuara dhe radioaktive. Kisha dëgjuar për një ekspeditë që kërkonte uranium, se ajo ishte pjesë e ndërmarrjes sonë, por e dija mirë se gjithçka ruhej sekret e nuk guxoja të pyesja më shumë. Përmes tyre mësova se materialet radioaktive lokalizoheshin në zona me ndërtim gjeologo-tektonik të ndërlikuar, me zhvillime të magmatizmit acid. Zona ku nxirrej uranium në përqindje të vlefshme për t’u shfrytëzuar, kishte shumë pak në Evropë. Nxirrej vetëm në Çeki, Francë e Suedi. Ndërkohë që në Rusi, SHBA, Afrikë të Jugut, Kongo, Gabon e Australi, përqindjet e përmbajtjes së uraniumit në mineral ishin shumë më të mëdha.”, – thotë Gëzim Shima.

Jetëshkrimi
Gëzim Shima u lindi në 15 shtator 1939 në Tiranë. Vazhdoi studimet në fakultetin Gjeologji-Minierë. Specializohet për Stratigrafi e punime Radiometrike, kërkime minerale radioaktive. Ka botuar, si autor e bashkautor, mbi 100 projekte, manuale e libra shkencorë. 10 vitet e para punoi në ndërmarrjen gjeologjike në Rubik. Në 20 vitet e ardhshme, punoi në ndërmarrjen Gjeofizike në Tiranë. Në shtator ‘91 largohet nga Shqipëria. Punon në institutin “Buxtehude” të Gjermanisë. Më pas në institutin “Geoconsul” të Italisë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne