Gjermani, rritet rreziku për sulme terroriste neonaziste

Ekstremistët djathtistë në Gjermani gjithnjë e më shumë anojnë drejt dhunës dhe përdorimit të platformave online për të bërë propagandë, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga 24.000 ekstremistë djathtistë të identifikuar nga shërbimet e sigurisë, më shumë se gjysma e tyre janë të orientuar kah dhuna, thonë nga ministria në përgjigjen ndaj një pyetjeje parlamentare, që u bë publike sot.

Propaganda online e grupeve të ekstremit të djathtë përmes rrjeteve sociale dhe platformave tjera online çon në radikalizëm të përshpejtuar të individëve dhe grupeve, si dhe i nxit ata të kryejnë akte të dhunës, thuhet gjithashtu në përgjigjen e ministrisë.

Ekstremistët djathtistë kanë kryer 688 sulme të dhunshme kundër të huajve, emigrantëve apo rivalëve politikë gjatë vitit të kaluar, thonë të dhënat zyrtare.

Të paktën 386 persona pësuan lëndime në këto sulme.

Konstantin Kuhle, një ligjvënës liberal nga partia opozitare Free Democratic, i ka bërë thirrje koalicionit qeverisës së kancelares Angela Merkel që të përgatitet për koncept të ri të sigurisë për të parandaluar dhe për t’u ballafaquar me radikalizmin në internet.

Gjermania është ballafaquar me rritje të ksenofobisë dhe urrejtjes ndaj emigrantëve në vitet e fundit, të nxitur nga propaganda e ekstremit të djathtë që ka shfrytëzuar frikën që ndërlidhet me krizën e refugjatëve dhe terrorizmin.

Partitë opozitare gjermane për një kohë të gjatë i bëjnë thirrje qeverisë që të ndërmerr masa më të fuqishme kundër propagandës së ekstremit të djathtë, duke iu frikësuar radikalizmit të mëtejshëm të simpatizantëve dhe valës së re të dhunës./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne