Sulmet anti-muslimane dhe rastet e diskriminimit në kryeqytetin gjerman pothuajse u dyfishuan në vitin 2024, duke arritur në një shifër alarmante prej 644 incidentesh, sipas një raporti të ri monitorimi të publikuar të mërkurën, transmeton Anadolu.
“Raporti i ri vjetor paraqet një pamje alarmante për qytetin tonë”, tha Rima Hanano, bashkëdrejtoreshë e grupit të të drejtave CLAIM, në një konferencë për media në Berlin, duke u bërë thirrje autoriteteve të marrin masa më të forta kundër rritjes së racizmit anti-musliman.
“Ne dokumentuam 644 sulme anti-muslimane dhe raste diskriminimi në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej gati 70 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Kjo do të thotë pothuajse dy incidente anti-muslimane çdo ditë ndodhin këtu në Berlin”, tha ajo.
Gratë ishin veçanërisht të shënjestruara në sulme, duke përbërë gati dy të tretat e rasteve (64 për qind), tha Hanano, duke shtuar se shumë viktima ishin të shoqëruara nga fëmijët e tyre në kohën e incidenteve.
Gjithashtu raporti zbuloi se diskriminimi në shkolla, shtëpi dhe në vendin e punës përbënte pjesën më të madhe të rasteve të dokumentuara, të ndjekura nga sulmet verbale. Hanano theksoi se rastet e dokumentuara ka të ngjarë të përfaqësojnë vetëm një pjesë të incidenteve aktuale, duke sugjeruar se numrat e vërtetë mund të jenë shumë më të lartë.
Racizmi anti-musliman u rrit ndjeshëm pas intensifikimit të konflikteve në Lindjen e Mesme, vuri në dukje ajo, duke shtuar se rritje të ngjashme u vunë re edhe pas sulmeve terroriste në Gjermani, pasi politikanët dhe media shpesh i paraqitën muslimanët si kërcënime për sigurinë, gjë që krijoi atmosferë dyshimi dhe diskriminimi.
“Muslimanët u vunë vazhdimisht nën dyshim të përgjithshëm dhe u portretizuan si një problem sigurie”, tha Hanano. “Disa njerëz ndihen të inkurajuar dhe të legjitimuar nga debate dhe diskurse të tilla. Dhe ajo që është vërtet shqetësuese është se edhe fëmijët dhe të rinjtë po sulmohen në rrugë, si verbalisht ashtu edhe fizikisht”, theksoi ajo.
Gjermania ka popullsinë e dytë më të madhe muslimane në Evropën Perëndimore pas Francës, me gati 5.5 milionë muslimanë midis gati 84 milionë banorëve të saj. Në vitet e fundit, vendi ka parë rritje të racizmit dhe dhunës anti-muslimane, të nxitur nga partitë dhe lëvizjet politike të ekstremit të djathtë, përfshirë Alternativën për Gjermaninë ose AfD në opozitë./mesazhi