Gjuriç: Vuçiç urdhëron ushtrinë të vihet në gjendje gatishmërie

 Drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç deklaroi sot se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç urdhëroi Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviç të rrisë gatishmërinë luftarake dhe se është duke vijuar takimi i Vuçiçit me zyrtarët e sigurisë për shkak të siç tha “ndërhyrjes së Policisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit”.

“Presidenti ka urdhëruar Shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe ministrin e Punëve të Brendshme të marrin masa brenda juridiksionit të tyre për të rritur nivelin e gatishmërisë në institucionet e tyre. Vuçiç u takua dhe paralajmëroi përfaqësuesit ndërkombëtarë se kjo sjellje nuk është e pranueshme dhe se Serbia në përputhje me Rezolutën 1244 do të mbrojë popullin e saj”, tha Gjuriç në një konferencë për media në Beograd.

Ai shtoi se “Vuçiç në një vend të veçantë është duke mbajtur një takim me shefin e shtabit dhe zyrtarë të tjerë të policisë dhe sigurisë”.

Gjuriç ka thënë se “njësia speciale, e armatosur deri në dhëmbë me pushkë, policia shqiptare” në Prishtinë “pushtuan” liqenin e Ujmanit për t’i mundësuar presidentin të Kosovës, Hashim Thaçi të vizitojë Liqenin e Ujmanit.

Ai tha se njësitë speciale kanë “ndërhyrë” edhe në Qendrën për Ekologji dhe Sport, ku “prangosën dhe arrestuan njerëzit pa arsye dhe qëllimi është të trembin popullin serb”.

Gjuriç shtoi se sjellja e tillë është “në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet” dhe se garancinë që as ROSU as njësi të tjera speciale të Policisë së Kosovës nuk do të hyjnë në veri të Kosovës, e kanë dhënë NATO dhe të gjithë të tjerët.

Institucionet e Kosovës ende nuk janë prononcuar lidhur me pretendimet e zyrtarëve serbë.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne